Foto: Ilustrim

Pamje - Momenti kur polici e prangos të dyshuarin që u kishte ikur policëve nga spitali

Një person është parë duke u arrestuar nga një zyrtar policor i cili për ta neutralizuar kishte nxjerrë edhe revolen nga brezi.

Në një video që ka siguruar KALLXO.com, shihet deri sa polici i drejtohet të dyshuarit që të ndaloj dhe të vë duart mbrapa kokës ndërsa në anën tjetër polici i kishte drejtuar edhe armën.

 

Pamjet që ka siguruar KALLXO.com tregojnë se polici neutralizon të dyshuarin e më pas edhe e prangos.

Për këtë rast KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësen për informim të Rajonit të Prishtinës, Florie Ahmeti.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Ahmeti ka thënë se i dyshuari ishte arrestuar dje për dhunë në familje.

“I njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh dhe pasi që ka shfaqur sjellje agresive të pakontrolluara me rekomandim të prokurorit të shtetit ai është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, tha Ahmeti për KALLXO.com.

Tutje ajo shtoi se përderisa sot policia ka qenë në monitorim të tij në QKUK, i njëjti ka sulmuar policinë duke iu shkaktuar lëndime trupore dhe ka shfrytëzuar momentin për të ikur nga aty.

“Përkundër rrethanave të krijuara policia është vënë në ndjekje të tij dhe pak më larg vendit të ngjarjes i njëjti është arrestuar nga ana e policisë. Aktualisht janë duke u trajtuar rrethanat në të cilat është zhvilluar ngjarja me qëllim zbardhjen e plotë të tyre”, tha Ahmeti.