Fotografi nga vënia e gurthemelit të dy fabrikave në Krajkovë të Drenasit. Foto: Kallxo.com

Pacolli Nis Fushatën në Drenas në Themelet e dy Fabrikave

Ndërtimi i dy fabrikave, në të cilat planifikohet të gjejnë punë 320 persona, nisi në një pronë private.

Përurimi u bë në kohën kur gara zgjedhore për kryetar të Drenasit është intensifikuar dukshëm, sado që zyrtarisht fushata zgjedhore nuk ka filluar ende.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit do të mbahen më 4 dhjetor.

Edhe Pacolli nuk përjashtoi mundësinë që aktiviteti i sotëm të kuptohet si fushatë.

Ndërsa kandidati i partisë së tij për kryetar të komunës, Elmi Thaçi, tha se fillimi i ndërtimit të këtyre dy fabrikave “garanton fitoren e AKR-së ne Drenas”.

“Unë sot po e shpalli fitoren si kandidat i AKR-së për komunën e Drenasit sepse këtu po fillojnë punimet e dy fabrikave qe do t’i punësojnë 320 te rinj të Drenasit”, theksoi Thaçi.

Presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli shtoi se këtu do hapet dega e fabrikës që tashmë ekziston në Mitrovicë.

“Sot po fillojmë ndërtimin e dy fabrikave që do të punësohen 320 persona”, tha Pacolli.

Ai gjithashtu ka theksuar se prona është dhuruar nga një person i Drenasit sepse “ne s’kemi asnjë lidhje me komunën”.

“Edhe po ta kërkonim, do të ishte e kotë”, tha Pacolli.