Viktor Orban dhe kryeministri malazez Dushko Markoviq gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi. Foto: Facebook.

Orban i ofron Malit të Zi ndihmë për ‘të mbrojtur’ kufijtë

Kryeministri hungarez Viktor Orban u ofrua të martën të ndihmojë Malin e Zi “të mbrojë” kufijtë e tij nga një numër në rritje i emigrantëve dhe refugjatëve, por homologu i tij malazez tha se nuk kishte ende nevojë për një gardh të stilit hungarez.

Duke bërë vizitën e tij të parë zyrtare në vendin e vogël të Adriatikut, Orban përsëriti se rruga ballkanike për emigrantët dhe refugjatët që përpiqen të arrijnë Bashkimin Europian duhet të mbetet e mbyllur.

Mali i Zi, Shqipëria dhe Bosnja kanë parë një rritje në numrin e emigrantëve dhe refugjatëve që shkojnë drejt veriut në Kroaci, që nga fillimi i vitit 2018 – gjithsej 6,700 nga janari deri në fund të majit, më shumë se dyfishi i numrit të regjistruar në këto tre vende për të gjithë vitin 2017.

Raportet e mediave lokale sugjerojnë se shumica dërrmuese vijnë nga Siria, Pakistani, Afganistani, Algjeria, Libia, Maroku, Palestina dhe Iraku.

Pas bisedimeve me kryeministrin malazez Dushko Markoviq, Orban tha se “Europa po bën ende gabime serioze”.

“I thashë kryeministrit Markoviq se nëse ata kanë probleme me emigrantët, Hungaria është e gatshme të ndihmojë, sepse kur Mali i Zi mbron kufijtë e tij, ai nuk mbron vetëm Malin e Zi, por edhe Hungarinë dhe të gjithë BE-në gjithashtu,” u citua të ketë thënë Orban në një deklaratë për shtyp nga qeveria malazeze.

“Edhe BE-ja ka nevojë për Malin e Zi,” tha Orban në një konferencë për shtyp dhe dukej se e lidhi BE-në me planet për zgjerimin e saj – sipas të cilave Mali i Zi mund t’i bashkohet BE-së në vitin 2025 – dhe çështjen e emigracionit të paligjshëm.

Nuk ka rëndësi nëse vendet kanë perspektiva të mira ekonomike dhe politike nëse ata nuk janë në gjendje të mbrojnë territorin e tyre dhe identitetin kulturor, tha ai.

“Ju e dini shumë mirë qëndrimin e hungarezëve. Qëndrimi ynë është mbrojtja e identitetit dhe integritetit territorial të Hungarisë.”

Marrëdhëniet midis BE-së dhe Hungarisë janë tensionuar nga qëndrimet strikte anti-emigracion dhe anti-refugjatë të qeverisë së Orbanit. Në vitin 2015, Hungaria ndërtoi dy rreshta gardhi me tela në kufirin e saj jugor me Serbinë, pasi qindra mijëra emigrantë kaluan aty.

Në maj, ajo u ofrua t’ia dhuronte gardhin Malit të Zi, por Podgorica tha se nuk ishte e nevojshme, “deri më tani”.

Markoviq e falënderoi Orbanin për gjestin, por tha: “Për momentin, nuk ka arsye për këtë.”. (reporter.al)