EP Plenary session - Formal sitting - address by Volodymyr ZELENSKY, Ukrainian President

Samiti i BE-së dhe rëndësia e tij për Ukrainën

Në rast Ukraina dëshiron të marrë ndonjë gjë nga samiti i rëndësishëm i sotëm i liderëve të BE-së, do të ketë nevojë për mbështetjen e kryeministrit hungarez Viktor Orban, i cili deri më tani i ka rezistuar fuqishëm përpjekjeve të Kievit për t’u bashkuar me BE-në, si dhe lutjet e tij për ndihmë.

“Ne jemi zëri i sensit të përbashkët në Evropë,” ka deklaruar Orban në parlamentin hungarez në prag të samitit, duke shtuar: “Lufta, korrupsioni, një sektor i madh bujqësor dhe keqtrajtimi i pakicës hungareze e skualifikojnë Ukrainën nga anëtarësimi i shpejtë në BE.”

Një ftesë simbolike për Ukrainën për t’i filluar bisedimet zyrtare është në krye të agjendës për takimin dy-ditor në Bruksel, së bashku me një premtim prej 54 miliardë eurosh në fondet e BE-së për ta fuqizuar ekonominë e Ukrainës deri në vitin 2024 dhe 24 miliardë euro shtesë për ushtrinë.

Kundërshtimet e Hungarisë kërcënojnëta shndërrojnë një javë të keqe edhe më të keqe për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Vizita e tij në Uashington nuk arriti të sigurojë 61 miliardë dollarë fonde ushtarake amerikane. Përfaqësuesit republikanë i bllokuan këto fonde.

“Nëse nuk ka lajme pozitive nga Brukseli, kjo do të thotë se Putini e ka vënë veton ndaj këtij vendimi”, paralajmëroi lideri ukrainas, duke akuzuar në mënyrë eksplicite Budapestin se po paraqet pengesa në këtë drejtim. Hungaria mund të bllokojë çdo gjë që kërkon Kievi, pavarësisht mbështetjes së gjerë për Ukrainën nga kryeqytetet e tjera të BE-së. Kryeministri i ri polak Donald Tusk paralajmëroi se “apatia ndaj Ukrainës është e papranueshme”.

Megjithatë, teksa liderët e BE-së filluan të mbërrinin në Bruksel mbrëmë vonë, filluan të shfaqen aludime për një kompromis të mundshëm. Kështu, Komisioni Evropian njoftoi se po zhbllokon rreth 10.2 miliardë euro nga më shumë se 30 miliardë euro të fondeve të BE-së për Hungarinë që ishin ngrirë për shkak të vonesave në sundimin e ligjit.

Komisioni Evropian po përpiqet të zbusë Orbanin

Ndryshimi në kodin penal ishte një nga shumë ndryshimet e kërkuara nga Brukseli. Shumica e liderëve të tjerë të BE-së janë në përkrahje të fortë pas Kievit. Edhe Robert Fico i Sllovakisë, i cili e ndaloi ndihmën ushtarake për Ukrainën, thotë se do ta mbështesë fillimin e negociatave për hyrjen e Kievit në BE.

Disa orë pasi presidenti Zelensky u largua nga Uashingtoni, ku nuk arriti të zhbllokonte ndihmën e SHBA-së, presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen i tha Parlamentit Evropian: “Ne duhet t’i japim Ukrainës atë që i duhet për të qenë e fortë sot, në mënyrë që të jetë më e fortë në tavolinën e bisedimeve nesër kur ajo do ta negociojë një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë për Ukrainën”.

Zelenski ka nevojë madhe për një sukses në samitin e BE-së

Zelenskiy ndjen një nevojë dëshpërimisht të madhe për përparim në samitin e BE-së dhe u përpoq të tingëllonte optimist gjatë një vizite në Norvegji: “Ishim shumë konstruktivë. Kemi bërë absolutisht gjithçka, i kemi përmbushur rekomandimet e Bashkimit Evropian.”

Komisioni Evropian ka sugjeruar që gjashtë nga shtatë parakushtet për fillimin e negociatave formale të pranimit tani janë përmbushur.

Budapesti e kundërshton këtë, duke akuzuar Brukselin se i ka zbutur kriteret për të ndihmuar Kievin. Presidenti Zelenski u pa në bisedime intensive ballë për ballë me Viktor Orbanin në Argjentinë të dielën. Presidenti ukrainas më vonë e përshkroi bisedën si “jashtëzakonisht të sinqertë”.

Për ta kundërshtuar Budapestin, parlamenti ukrainas e miratoi javën e kaluar një ligj që u garanton hungarezëve dhe pakicave të tjera të drejtën për të studiuar në gjuhën e tyre. Një ligj i ri ukrainas kundër korrupsionit, i kërkuar nga BE, u miratua gjithashtu, duke e privuar qeverinë e Orbanit nga një pjesë e municioneve të saj kundër Kievit.

Askush në Bruksel nuk sugjeron që Ukraina është gati të bashkohet në të ardhëmn e afërt. Fillimi i negociatave për anëtarësim është një akt simbolik i solidaritetit të Bashkimit Evropian.

Orban: Qëndrimi im nuk është tamam një veto, por…

Orban i tha të përjavshmes franceze Le Point se pozicioni i tij “nuk është saktësisht një veto” duke shtuar se “Le të themi se unë nuk po kontribuoj në atë që më duket si një vendim i keq”.

Kjo tingëllon si një zë i përmbajtur. Qeveria e tij tashmë ka miratuar në heshtje 11 paketa sanksionesh kundër Rusisë, megjithëse mediat e zbutura proqeveritare hungareze rrallë raportojnë për të.

Një tjetër çarje në frontin anti-ukrainas të qeverisë hungareze ndodhi dje, kur udhëheqësi i kabinetit të tij, Balazs Orban, i cili nuk ka lidhje me kryeministrin, tha se financimi i Hungarisë nga BE-ja dhe financimi i Ukrainës janë  çështje të ndara.

“Por nëse BE-ja këmbëngul që financimi për Ukrainën duhet të vijë nga buxheti i ndryshuar i BE-së, të dyja çështjet bëhen të lidhura”, ka deklaruar ai për Bloomberg. Viktor Orban është i bindur se Hungaria “nuk mund të shantazhohet” dhe se çështjet financiare “nuk mund të përzihen me çështje parimore”.

Bastet për Ukrainën janë shumë më të larta se bastet për Hungarinë

Orban, ashtu si Zelenski, këmbëngul se bëri gjithçka që Komisioni i kërkoi të bënte. Mirëpo bastet për Ukrainën janë shumë më të larta. Presidenti Zelenski rrezikon të humbasë luftën me Rusinë, ndërsa Orban dëshiron të fitojë më shumë ndikim në Evropë. Fokusi i tij zhvendoset në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershor të vitit 2024, kur ai shpreson të shohë teksa triumfojnë kolegët e tij nga partitë nacionaliste.

Rezultati më i mirë për Zelenskyn do të ishte kthimi në Kiev me një ftesë për të filluar negociatat e anëtarësimit dhe një çek për 78 miliardë euro ndihmë ushtarake dhe ekonomike.

Për liderin hungarez, një samit i suksesshëm do të ishte që BE dhe Ukraina të bien dakord për një “partneritet strategjik”, një hap në rrugën drejt anëtarësimit në BE për Ukrainën, por vetëm një hap i vogël. Si dhe miliarda euro fonde të zhbllokuara të BE-së./Index.hr