Nuk Miratohet Mocioni i VV-së për Rastin Dehari

Nga 83 deputetë sa votuan, 45 ishin kundër, 7 abstenuan dhe vetëm 31 ishin për. Kësisoj nuk kaluan rekomandimet e VV-së për rastin Dehari.

Mocioni i paraqitur nga deputeti i VV-së, Albin Kurti, kërkonte 3 veprime të qeverisë:

  • Realizimi pa vonesa i hetimit të pavarur ndërkombëtar si dhe bashkëpunimi pa pengesa nga institucionet ligj zbatuese të Republikës së Kosovës.
  • Shkarkimi i menjëhershëm i zyrtarëve brenda Policisë së Kosovës përgjegjës për rastin në mënyrë që t’i hapet rrugë hetimit të plotë dhe pa pengesa.
  • Shkarkimi nga pozita e Ministres në Kabinetin Qeveritar – Dhurata Hoxhës, si ministre nën udhëheqjen e së cilës dështoi përmbushja e detyrës zyrtare në lidhje me mungesën mbarëvajtjes së institucioneve korrektuese dhe pengesën në hetime të pavarura.

“Votimi i rekomandimeve nga Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me vdekjen e dhunshme të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari”, nuk kaluan tha Kryeparlamentari.

Kujtojmë që në ditën e mbajtjes së seancës, përveç fjalëve, në interpelancën për vdekjen e Astrit Deharit, pak para përfundimit, pati edhe përleshje fizike mes deputetëve të VV-së dhe atyre të PDK-së.