Jo Vetëm Fjalë në Interpelancën Për Astrit Deharin

Përveç fjalëve, në interpelancën për vdekjen e Astrit Deharit, pak para përfundimit, pati edhe përleshje fizike mes deputetëve të VV-së dhe atyre të PDK-së.

Interpelanca e thirrur muaj më parë nga Vetëvendosje, për rastin e vdekjes së Astrit Deharit, arriti të mbahet tek sot. Pas më shumë se tri orë debat në Kuvend, deputetët e VV-së dhe ata të PDK-së përfunduan duke u përleshur fizikisht.

Në fillim të interpelancës, iniciuesi i saj,  Albin Kurti ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë mocionin e interpelancës ku kërkohet shkarkimi i ministres Dhurata Hoxha, zyrtarëve policorë që kanë qenë përgjegjës atë ditë.

“Shkarkimi nga pozita e ministres në kabinetin qeveritar i zonjës Dhurata Hoxha, si ministre ndaj të cilës dështoi [përmbushja e detyrës zyrtare dhe pengesën në hetimet e pavarura”, ka thënë Kurti.

Por, kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, ka thënë se është e parakohshme t’i kërkohet përgjegjësi për këtë rast ish-ministres së Drejtësisë Dhurata Hoxha.

Haradinaj ka ofruar bashkëpunimin e qeverisë, siç tha ai, pa pagesë, për zgjidhjen e rastit së vdekjes së Astrit Deharit.

“Për bindjen time, rekomandimet e Kuvendin, që e obligojnë qeverinë për me zbardhë çdo aspekt të kësaj ngjarje të dhimbshme, na keni mbrapa dhe se vendosim asnjë pengesë, si për shpenzime si përcaktimin e familjes për cilin institucion, si dhënien e mundësive ligjore që kjo me ndodhë, e keni përkrahjen time”, tha kryeministri Haradinaj.

E Kurti tha se e mbështet çdo ndihmë e bashkëpunim nga Qeveria për zgjidhjen e rastit Dehari, mirëpo sipas tij po në Qeveri ka njerëz me interesa të forta që janë kundër këtij hetimi e që janë pengesë e procesit.

“Sigurisht që ne e mirëpresim çdo leje, bashkëpunim, ndihmë, mbështetje nga Qeveria për Hetim ndërkombëtar, mirëpo ajo që po themi është se në qeverinë e Kosovës e në shtetin e Kosovës ka njerëz me interesa të forta kundër këtij hetimi ndërkombëtar. Këta janë pengesë sepse këta janë pjesë e problemit, janë palë në këtë kontest”, tha Kurti.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, në fjalën e tij gjatë interpelancës, ka kërkuar të dijë se cili është qëllimi i kësaj interpelance.

“Pse ka nevojë gjithçka, përfshirë edhe këtë rast tragjik të politizohet”, tha Krasniqi.

“Cili është qëllimi i kësaj interpelance? A po kërkohet prej Kryeministrit dhe Qeverisë, apo prej Kuvendit që të marrë rolin e gjykatës, apo ndoshta qëllimi është që të rritet presioni politik ndaj gjyqësorit në lidhje më këtë çështje”, tha ai.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se tema që po diskutohet sot nuk e politizon rastin, por se mosdhënia e përgjegjësisë është politizim i rastit.

“Politizim është që s’ka dhënë kurrkush përgjegjësi. A ma tregoni një person, prej Kryeministrit e deri te gardiani I dhomës në krahun e Astirit, kush ka dhënë përgjegjësi në këtë shtet për vdekjen e Astrit Deharit? Tregomani një person. Qeky është politizim I sistemi gjyqësor, jo tema që po e trajtojmë këtu”, tha shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.

E deputeti i Lidhjes Demokratikë të Kosovës, Armend Zemaj e ka vlerësuar tragjike vdekjen e Astrit Deharit si për familjen, ashtu edhe për shoqërinë, duke thënë se vrasjet politike mbesin njolla më e zezë për sistemin e drejtësie.

“Vrasjet me motive politike mbesin njolla më e zezë në sistemin e drejtësisë së Kosovës”, tha Zemaj.

Ish- kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tani deputet i Grupit të Deputetëve të Pavarur në fjalën e tij në interpelancën për vdekjen e Astrit Deharit, tha se qe 1 vit e 4 muaj janë duke kërkuar hetim ndërkombëtar.

Sipas Ymerit, me 5 nëntor, ditën kur ka vdekur Dehari, ka vdekur edhe shteti i Kosovës.

“Me 5 nëntor vdiq Astriti, por edhe më shumë se keq, me 5 nëntor vdiq edhe shteti i Kosovës sepse vdiq edhe niveli bazik për një drejtësi të paanshme dhe të pavarur, vdiq përgjegjësia bazike e institucioneve për të ofruar siguri qytetarëve, vdiq funksionimi bazik i institucioneve për përgjegjësinë ndaj qytetarëve, vdiq edhe fija e fundit e besueshmërinë së qytetarëve për institucionet e vendit e kjo fatkeqësisht po vazhdon edhe sot”, tha Ymeri.

Duke folur në interpelancën për vdekjen e Astrit Deharit, Kryeministri Haradinaj ka përmendur edhe vrasjen e vëllait të tij, Enverit, pas luftës.

“Unë kam familjar të vramë paslufte, vëllai im se ka pas fatin me u ba një hetim ndërkombëtar. Hiç se ka pas fatin, s’ka mbërri as deri këtu, një ditë zie e ka shpallë atëherë presidenti Rugova”, tha Haradinaj

Ai shtoi se ka pasur dyshime në disa adresa por se nuk dëshiron të thotë se ky apo ai e ka bërë këtë, pa e thënë Gjyakta fjalën e saj.

Deputeti i VV-së, Frashër Krasniqi ka akuzuar edhe ministrin e drejtësisë, Abelard Tahirin për përfshirje direkte në këtë rast dhe e ka quajtur ‘prokuror publik’, i cili ka përmendur emra, e për këtë i ka kërkuar ministrit të kërkoj falje. “Është pikërisht, ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri që ka dhënë  deklarata publike dhe e ka përfshi veten publikisht, e ka marr rolin e prokurorit publik, duke përmendur emra”, tha ai.

Krasniqi i kërkoi ministrit të kërkojë falje publike.

“A nuk do të ishte korrekte që ju me dal me thanë në këtë foltore se kam gabu që jam përzi, kërkoj falje që i kam thënë”, tha ai.

Ndërsa Kryeministri , Ramush Haradinaj kërkoi të mos bëhet gjykim publik, duke i thënë që pikërisht në kohën e ministrit Abelard Tahiri ata janë liruar.

Afishimi e gjykimi publik nuk i jep efektet. Po në kohën e këtij ministri, Ju u lirut”, tha Haradinaj.

Më pas ministri Abelard Tahiri tha se rasti Dehari do të marrë epilog gjatë mandatit të tij, dhe se ata që kanë qenë fajtor, qoftë brenda a jashtë institucioneve do të dalin para drejtësisë.

“Jam i bindur që në kuadër të këtij mandati ne do ta zbardhim [këtë rast] dhe ky institut do të na ndihmojë ta zbardhim një herë e mirë këtë rast”, tha ai.

Pak para përfundimit të seancës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje u përleshën me deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Deputetët Liburn Aliu, Salih Zyba e Xhelal Svecla gati janë përplasur fizikisht me deputetët e PDK-së, Memli Krasniqi e Hajdar Beqën.

Situata eskaloi kur ministrja e Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha, në cilësinë e ish ministres së Drejtësisë, doli në foltore për të folur për rastin e vdekjes së Astrit Deharit dhe e akuzoi VV-në si “të instrumentalizuar me qarqe pro-ruse”.

Në këtë moment, deputetët e VV-së filluan të krijojnë zhurmë në sallë duke u rënë tavolinave me dorë, ndërsa në grindje janë përfshirë deputetë të dy grupeve parlamentare.

Nënkryetari Haliti kërkoi që të shkohet në pauzë, pastaj deputeti Memli Krasniqi dhe Librun Aliu u fjalosën e u shtyjnë, ku u inkuadruan edhe deputetë të tjerë, mirëpo në fund ndërhynë.

Më pas, seanca e cila ishte po thuajse në përfundim, mori epilog me fjalën e propozuesit të saj, Albin Kurtit, i cili tha se nuk mund të arrihet te e vërteta pa e ngritur çështjen e përgjegjësisë.

Ai përmendi edhe të gjeturat e raportit  të dalë nga mjekët që kishte caktuar familja Dehari. Përmendi edhe lëndimet në qafë, që siç tha nisur nga pozicioni i lëndimeve në qafë, “duket se Astrit Dehari nuk i ka bërë vetë lëndimet”.

Interpelanca me kryeministrin Ramush Haradinaj për vdekjen e Astrit Deharit u mbyll pa vendim meqë në votim të mocionit të paraqitur nga Vetëvendosje nuk mori pjesë as gjysma e numrit të deputetëve.

Mocioni i paraqitur nga deputeti i VV-së, Albin Kurti, kërkonte 3 veprime të qeverisë:

  • Realizimi pa vonesa i hetimit të pavarur ndërkombëtar si dhe bashkëpunimi pa pengesa nga institucionet ligj zbatuese të Republikës së Kosovës.
  • Shkarkimi i menjëhershëm i zyrtarëve brenda Policisë së Kosovës përgjegjës për rastin në mënyrë që t’i hapet rrugë hetimit të plotë dhe pa pengesa.
  • Shkarkimi nga pozita e Ministres në Kabinetin Qeveritar – Dhurata Hoxhës, si ministre nën udhëheqjen e së cilës dështoi përmbushja e detyrës zyrtare në lidhje me mungesën mbarëvajtjes së institucioneve korrektuese dhe pengesën në hetime të pavarura.

Pas mos-marrjes pjesë të deputetëve në votim, ka reaguar monitoruesi i punës së Kuvendit, Albert Krasniqi (KDI), i cili tha se deputetët që nuk votojnë duhet të ndëshkohen edhre financiarisht.

“Mos pjesëmarrja në votim është shmangie nga përgjegjësia dhe përfaqësimi i qytetarëve. Nëse nuk jeni për apo kundër, mund të abstenoni e jo të bllokoni vendimmarrjen në Kuvend. Për këta deputetë duhet të parashihen ndëshkime, jo vetëm me votë por edhe financiare”, tha ai.

Seanca do të vazhdojë më 21 mars në orën 10:00.