Arkiva - Foto: KALLXO.com

Një i Vdekur në Aksident Trafiku

Një person ka vdekur dhe një tjetër është lënduar në një aksident komunikacioni që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:30, në fshatin Peran të Podujevës.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë të Prishtinës në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura të cilat ishin në lëvizje,  vetura e tipit “Audi A3” dhe vetura e tipit  “Golf II”, që të dyja  me targa vendore.

Si pasojë e lëndimeve në QKUK ka ndërruar jetë shtetasi A.Z. 43 vjeç, vozitësi i veturës “Golf II”.

Ndërsa personi i lënduar është B.Z. 13-vjeçe, pasagjere në veturën “Golf II”, e cila pasi ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, është liruar nga QKUK-ja.

Lidhur me këtë aksident një person ( ngasësi i Audi -së) është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit të shtetit, i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Ndërkohë që trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Drejtoria Rajonale e Policisë njofton se gjatë vitit 2016 në rajonin e Prishtinës kanë ndodhur 8.232 aksidente trafiku, prej tyre 33 me pasoja fatale (38 të vdekur), 2.258 me të lënduar (4.384 të lënduar), si dhe 5.941 me dëme materiale.