Foto: Arkiv

Ngricat në Trafik, Policia Apelon për Kujdes

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje ngasësve në trafik që të jenë të kujdesshëm gjatë vozitjes, në ditët kur qarkullimi në rrugët e vendit është vështirësuar si pasojë e motit të lig.

Në një apel të lëshuar sot, Policia kërkon kujdes dhe shtim të vigjilencës gjatë drejtimit të automjeteve në trafik

“Policia e Kosovës me qëllim të reduktimit të aksidenteve në trafikun rrugor apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve, që të jenë të kujdesshëm dhe sa më vigjilentë gjatë drejtimit të automjeteve të tyre, posaçërisht në këtë periudhë kur kanë filluar ndryshimet atmosferike: reshjet e borës, mjegullat, ku gjatë natës dhe në orët e mëngjesit kemi kufizim të dukshmërisë dhe paraqitje të ngricave të cilat mund të vështirësojnë qarkullimin nëpër rrugët tona. Drejtuesit e automjeteve të posedojnë pajisje dimërore të parapara sipas ligjit të trafikut”, thuhet në Apelin e Policisë.

“Policia e Kosovës me njësitet e saj vazhdon të monitorojë dhe të menaxhojë situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat në trafik, masa ndëshkuese ligjore do të aplikohen me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve dhe krijimit të një sigurie më të madhe për të gjithë”, thuhet në apel.