Nënshkruhet Kontrata për Tabelat e Veturave

Ministria e Punëve të Brendshme dhe kompania fituese kanë nënshkruar sot kontratën për furnizimin e qytetarëve të Kosovës me tabela të veturave duke i dhënë fund pajisjes me tabela provuese.

Vendimin për nënshkrimin e kësaj kontrate e ka konfirmuar sot MPB.

KALLXO.com kishte raportuar të premten se Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka lejuar MPB-në të nënshkruajë kontratën me operatorin “GSG & KIG & KIG KGA” për furnizim me targa.

Ndërkohë sot MPB tha se paneli i OShP-së, me vendim unanim, ka vërtetuar vendimin e ministrisë lidhur me tenderin për furnizim me targa për regjistrim të automjeteve dhe ka autorizuar këtë ministri për vazhdimin e procedurave të mëtutjeshme, që nënkupton nënshkrimin e kontratës.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar të gjitha procedurat dhe sot është nënshkruar kontrata me operatorin ekonomik, dhe të gjithë sektorët relevantë po zhvillojnë procedurat me prioritet dhe pa vonesë për të kryer të gjitha obligimet e nevojshme ligjore dhe procedurale, në mënyrë që furnizimi të arrijë në stoqet e MPB-së, sipas obligimeve kontraktuese. Bazuar në obligimet kontraktuese, operatori ekonomik është i obliguar që jo më vonë se 30 ditë të dorëzojë në MPB sasinë e kërkuar të targave”, thotë MPB në një komunikatë.

Sipas MPB-së të gjithë qytetarët që kanë aplikuar për regjistrim të parë, dhe janë pajisur me targa prova, do të paguajnë vetëm taksën e mbetur prej 5 euro, pa u ngarkuar me pagesa tjera.

“Ministria e Punëve të Brendshme të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës u kërkon mirëkuptim për furnizimin me vonesë me targa, jo për fajin e saj, ndërsa për datën e fillimit të lëshimit të targave do t’iu informojmë me kohë”, thuhet në komunikatë.