Një garë atletike në Kosovë. Foto: Federata e Atletikës

Në Atletikën e Kosovës, Drejtësinë e Ndajnë Trajnerët

Trajneri i klubit të atletikës “Rogana” dhe trajneri i përfaqësueses së Kosovës në Atletikë, Zijadin Kryeziu,  që në Lojërat Olimpike të këtij viti në Rio dërgoi 2 sportistë, ka shprehur indinjatën e thellë me mënyrën se si dhe kush janë zgjedhur në kryesinë dhe bordin e kësaj federate.

Federata e Atletikës e Kosovës mbajti javën e kaluar kuvendin zgjedhor në procesin e zgjedhjeve nëpër federatat sportive të Kosovës, proces që do të kulmojë me zgjedhjet në Komitetin Olimpik të Kosovës.

Kryeziu në një deklaratë për KALLXO.com ka folur për shumë parregullsi. Sipas tij, në këtë federatë lejohet që një person në të njëjtën kohë ta bëjë punën edhe të trajnerit edhe të gjyqtarit.

“Në Federatën e Atletikës ka njerëz që janë edhe trajner edhe gjyqtarë dhe kjo është skandaloze. Nuk mundesh ti si trajner me i referu dhe me i nda drejtësi garuesit tënd. Kjo nuk ndodhë vetëm tash, kjo është me vite të tëra”, tha Kryeziu për KALLXO.com.

Sipas tij, duhet që njerëzit që kanë marrë përgjegjësi të jenë në kryesi të Federatës të gjejnë gjyqtarët e jo që trajnerët të ndajnë drejtësi.

Mirëpo i kontaktuar nga KALLXO.com, kryetari e Federatës së Atletikës, Halil Sylejmani, thotë se përderisa nuk ka dispozita që e ndalojnë, atëherë është e lejuar.

“Çdo gjë që nuk është e ndaluar, është e lejuar”, tha Sylejmani për KALLXO.com

Megjithatë edhe Sylejmani, i cili e drejton federatën që nga viti 1991, thotë se nuk është i kënaqur me përzgjedhjen e bordit.

Në anën tjetër, Kryeziu thotë se Komiteti Olimpik i Kosovës e edhe Ministria e Sportit i kanë pasur përfaqësuesit e vet të pranishëm si monitorues, kur është votuar për kryesinë dhe bordin e kësaj federate.

Trajneri i atletikës, Zijadin Kryeziu. Foto: Kallxo.com
Trajneri i atletikës, Zijadin Kryeziu. Foto: Kallxo.com

Kryeziu thotë që ka njerëz që s’kanë asnjë garues dhe që janë të barabartë në federatë me klubin e tij.

“Me ardhë me nga 2 delegatë, klubet që se kanë asnjë garues dhe që s’kanë veprimtari qe plot 4 vjet edhe e fitojnë të drejtën sikur unë që jam me të gjitha rezultatet dhe që dominoj me vite. Pra ata e kanë të drejtën e barabartë me neve, ta ulë dhe ta ngritë dorën”, u shpreh trajneri i i klubit atletik “Rogana”për KALLXO.com.

http://kallxo.com/fshati-i-atletikes/

Sipas tij, këto klube 2-3 para garave i marrin disa fëmijë dhe i fusin të garojnë.

Kreyziu thotë që këta njerëz nuk e ka qëllim primar ngritjen e Federatës së Atletikës, por vetëm interesin personal që të marrin pjesë nëpër aktivitete të ndryshme ndërkombëtare.

Ai kërkoi që federatës së Atletikës t’i kushtohet më shumë rëndësi pasi që edhe njihet si mbretëresha e sporteve.

Në emisionin Jeta në Kosovë para 2 javësh u diskutua për sportin.

Çfarë Komiteti Olimpik i Duhet Kosovës?