Komuna e Prishtines, Foto: Atdhe Mulla.

Ndihma Gjermane për më Pak Emigrantë

Kur u nënshkrua në qershor të vitit të kaluar projekti për ndihmë bizneseve të vogla i mbështetur nga Qeveria e Gjermanisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe disa nga komunat që do të përfitojnë prej tij, kishte për qëllim zvogëlimin e numrit të emigrantëve duke mundësuar hapjen e vendeve të punës për ta.

Projektin është duke e zbatuar organizata “Help-Hilfe zur Selbsthilfe e.V.”, ndërsa qeveria gjermane në fazën e parë të tij vjet ka dhënë 500 mijë euro, e sivjet planifikohen një shumë e njëjtë mjetesh.

http://kallxo.com/gjermania-investon-ne-kosove-per-te-ulur-numrin-e-azilkerkuesve/

Sipas Komunës së Prishtinës ka filluar faza e dytë e përzgjedhjes së klientëve potencialë për këto grante që synojnë fuqizimin e mikrobiznesit.

Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të kontribuojë në zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitetin ekonomik në Kosovë.

“Qëllimi i veçantë është krijimi i vendeve të reja të punës përmes mbështetjes direkte me grante për biznese të vogla. Nëpërmjet këtij projekti, ofrohen pajisje në mënyrë që përfituesit të mund të fillojnë apo rrisin biznesin e tyre,” thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Komuna bën me dije se procesi i fazës se dytë të përzgjedhjes përfshin një intervistë të organizatës zbatuese “Help-Hilfe zur Selbsthilfe e.V.” me aplikantë që kanë kaluar procesin e parë të përzgjedhjes dhe kanë hyrë në listën e ngushtë.

Gjatë këtij aktiviteti do të realizohen vizita në shtëpitë ose lokacionet e bizneseve të aplikantëve të cilat kanë për qëllim konfirmimin e të dhënave  të paraqitura në formularin e aplikimit si dhe për më shumë detaje mbi idenë e propozuar të biznesit.

Përmes këtij aktiviteti i cili do të zhvillohet gjatë muajit qershor dhe korrik do të vizitohen komunat e Prishtinës, Vushtrrisë, Gjilanit, Gjakovës dhe Graçanicës të cilat edhe do të jenë pjesë e projektit e këtij financimi.

Vlera mesatare e një granti për një përfitues është 2,000.00 euro në formë të pajisjes, por jo para të gatshme.