Nol Nushi në gjykatë në fillim të 2016-ës | Foto: KALLXO.com

Ndalohet nga Policia Aktivisti i VV-së Nol Nushi

“Vetëvendosja” në njoftimin e saj bën me dije se Nol Nushi u arrestua sot në orët e mbrëmjes pa paralajmërim.

“Ky pushtet i cili tashmë është dorëzuar para Serbisë, sonte në orët e mbrëmjes ka arrestuar Koordinatorin e Sekretariateve dhe anëtarin e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Nol Nushi. Ai është ndaluar nga policia dhe është arrestuar pa asnjë sqarim,” thuhet në njoftimin e VV-së.

Policia tha për KALLXO.com se e shoqëroi në stacion një person që po kërkohej nga gjykata.

“Gjatë një kontrolli rutinor në Rrugën ‘Ilir Konushevci’ Prishtinë, është ndaluar një mashkull 27 vjeç me inicialet N. N. I njëjti  pas verifikimit ka rezultuar se ka një urdhëresë të gjykatës që është aktive,” tha zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës Florie Ahmeti.

Ahmeti tregoi se ky person është shoqëruar në polici, ndërsa ndaj tij sipas saj po kryhen procedurat e nevojshme policore.

Arrestimin e Nol Nushit “Vetëvendosja” e quan të papranueshëm.

“Ky veprim i pushtetit tregon se klani ‘Pronto’ po synon që në Kosovë të instalojë regjim autoritar. Veprimet e tilla janë të papranueshme, prandaj kërkojmë lirim të menjëhershëm të aktivistit Nushi,” kërkohet në njoftim.

Nushi ishte arrestuar nga policia edhe në dhjetor të vitit 2015.

http://kallxo.com/arrestohet-nje-aktivist-i-vetevendosjes/

Atij më pas i ishte caktuar paraburgimi prej një muaji nën dyshimet për pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare dhe asgjësim apo dëmtim të pasurisë.

http://kallxo.com/1-muaj-paraburgim-zyrtarit-te-vetevendosjes/

Më pas Nushi ishte liruar nga paraburgimi.