Agron Mustafa | Foto: Facebook

Mustafa: Asnjëherë S’kam Qenë Kaq i Shqetësuar për Sigurinë Time dhe të Familjes

Drejtori menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, thotë se nuk ka arritur të flinte gjithë natën nga habia, shqetësimi, guximi i zyrtarëve policorë dhe stresi që ka përjetuar dje gjatë incidentit me dy zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Mustafa ka ritheksuar se ende nuk i di arsyet e sulmit nga dy zyrtarët e Policisë dhe se e shqetëson fakti i mosreagimit të oficerit të uniformuar të Policisë në kohën kur ai pretendon se u sulmua fizikisht.

Agron Mustafa ka treguar se pas sulmit ka shkuar në stacionin e Policisë “Qendra” për ta raportuar rastin. Në fillim, thotë ai, është intervistuar në cilësinë e të dëmtuarit apo viktimës, e pas ca ore i kanë thënë se është i dyshuar për rrahje.

“Unë nuk e kam rrahur askënd dhe për këtë flet vetë video-incizimi i publikuar (po mos të gjendej ky incizim, me siguri unë nuk do të mundja të e shkruaj ketë status ne FB sonte…) dhe as që kam ikur nga ndonjë arrestim i mundshëm, siç pretendohet nga deklaratat publike të policëve dhënë në portalet kosovare, mirëpo më kanë sulmuar pa ditur asnjë gjë dhe pa ndonjë arsye të vetme duke me shkaktuar lëndime trupore, të cilat vërtetohen edhe nga ekzaminimet mjekësore”, ka shkruar ai.

Mustafa përsërit disa herë se nuk ka pasur asnjëherë asnjë telash me ata që e sulmuan dhe as tentim për ta arrestuar siç kanë pretenduar zyrtarët policorë. Ai shton se ata që e sulmuan as që janë prezantuar si policë.

“Por më kanë sulmuar brutalisht, pa pritur, pabesisht, duke më kërcënuar dhe më sharë pa ndërprerë, njëkohësisht duke më thënë që do të ma ndalojnë ‘shehrin’”, ka shtuar Agron Mustafa.

Drejtori i Telekomit të Kosovës thotë se asnjëherë nuk ka qenë më shumë i shqetësuar për sigurinë e tij personale, e po ashtu edhe për sigurinë familjare.

“Se kam guximin të kërkoj mbrojtje nga Policia e Kosovës dhe/apo nga MPB/IPK, duke marre parasysh se ata me sulmuan sot, mirëpo kërkoj drejtësi dhe të zbardhet e vërteta”, ka shkruar ai.

Dje në një incident u përfshinë shefi i Hetimeve të Krimeve Ekonomike Nazim Sahiti, polici Avni Berisha, drejtori i Telekomit Agron Mustafa dhe një person tjetër.

Inspektorati Policor rastin edeklaroi se e cilëson lëndim të lehtë trupor, ndërsa tregoi se është duke e hetuar për të vetëm policin Avni Berisha dhe një qytetar.

Zyrtare IPK nuk Heton Nazim Sahitin për Sulmin ndaj Agron Mustafës

Agron Mustafa në një konferencë për gazetarë, teksa tregoi se çfarë përjetoi të shtunën, u bëri thirrje zyrtarëve të institucioneve që të mos mbajnë rreth vetes dhe as në polici, njerëz si Nazim Sahiti e Avni Berisha.

Agron Mustafa: Nuk më Kanë Frikësuar dhe Nuk do të Zmbrapsem