Foto: Ilustrim

Flet avokati: ‘Tarkani’ është sulmuar edhe javën e kaluar

Sonte rreth orës 20, persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri ndaj një zyrtari policor gjatë kohës sa ai ishte në detyrë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, konfirmoi për KALLXO.com se incidenti ka ndodhur në rrugën ‘Vicianum’ në Prishtinë dhe se nuk ka të lënduar nga këto të shtëna.

Burime të KALLXO.com kanë thënë se cak i të shtënave ka qenë polici Avni Berisha, i njohur me nofkën ‘Tarkani’ i cili në fund të vitit të kaluar ka qenë i përfshirë në një përleshje në Prishtinë me ish- drejtorin e Telekomit, Agron Mustafa.

Avokati i Avni Berishës, Naim Rudari, konfirmoi për KALLXO.com se është informuar që klienti i tij është sulmuar sonte me armë, ndërsa tha se një rast të tillë e ka pasur edhe para një jave.

https://kallxo.com/te-shtena-me-arme-ndaj-policit-avni-berisha-tarkani/

“Fatmirësisht i mbrojturi im nuk është lënduar por po ju tregoj më 24 tetor ka ndodhur edhe një rast tjetër i ngjashëm por edhe atëherë nuk ka pasur lëndime”, tha Rudari për KALLXO.com.

“Policia e ka hapur rastin por ende nuk kemi informacione cka ka ndodhur me të”, shtoi ai.

Rudari tha se nuk mund të flasë për ndonjë motiv se nga mund të vijnë këto sulme ndaj klientit të tij.