Foto: MPJ

MPJ: Besojmë në lirimin e Tomor Morinës

Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i ministrit të Punëve Jashtëm në dorëheqje Behgjet Pacolli, ka thënë se që nga dita e parë e ndalimit të ish-luftëtarit të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut, Tomor Morina janë në kontakt të ngushtë me autoritetet e shtetit fqinj për të siguruar lirimin e tij.

Zyberaj përmes një postimi në Facebook tha se besojnë që ajo gjë do të ndodhë.

“Ka procedura në Maqedoninë e Veriut që autoritetet e atjeshme duhet me i ndjek, dhe ne jemi duke komunikuar rregullisht dhe intensivisht me Shkupin për të shpejtuar lirimin e is- luftëtarit të lirisë, Tomor Morina. Urdhër-arrestet politike të Serbisë* kundër luftëtarëve të lirisë së UÇK-së nuk kanë kuptim dhe as bazë ligjore dhe thjeshtë bazohen në lojëra politike të Beogradit. Ne besojmë se së shpejti lirimi i tij do të ndodh dhe kështu edhe kthimi i tij tek familja”, ka shkruar Zyberaj.

Ai ka shtuar se Serbia me këtë veprim po vazhdon të pengojë pajtimin në rajon.

“Besojmë në lirimin e shpejtë të Tomorit dhe këtu nuk ka dilema. *Ky përcaktim është pranuar për faktin se shteti i Serbisë ka kryer krimet më të rënda kundër njerëzimit (pas Luftës së Dytë Botërore) në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera.  Shteti serb vazhdon edhe sot të pengojë pajtimin në rajon”, ka shkruar Zyberaj.

Më 24 korrik policia e Maqedonisë së Veriut ka ndaluar ish-ushtarin e UÇK-së, Tomor Morina, me kërkesë të INTERPOL-it nga një urdhërarrest i Serbisë.

Lidhur me arrestimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Tomor Morina, të enjten, ka reaguar edhe ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, duke thënë se Kosova nuk do të lejojë ekstradimin e Morinës.

“Nuk do të lejojmë ekstradimin e asnjë qytetari tonë bazuar në fletarrestet e lëshuara nga Beogradi. Kjo është vijë e kuqe për Kosovën” ka thënë Pacolli.

Pas arrestimit të tij kishte reaguar edhe OVL-UÇK-ja duke thënë se janë të befasuar se si po respektohen urdhërarrestet e një shteti i cili ka ushtruar gjenocid mbi popullin shqiptar.

Ndërsa, kryeministri i Maqedonisë së Veriut,  Zoran Zaev, kishte thënë se do të respektohet ligji.

“Sundimi i ligjit dhe respektimi i rregulloreve dhe ligjeve ndërkombëtare është normë evropiane, të cilën unë dhe të gjithë ju e përfaqësojmë. Procedura kryhet nga prokurori kompetent, dhe për këtë vendos gjykatësi kompetent, as Zaev as Oliver Spasovski (ministri i Brendshëm), Agim Nuhiu (zëvendësministër i Brendshëm), dhe askush tjetër nga qeveria”, kishte thënë Zaev, duke thënë se Maqedonia e Veriut, sikurse Serbia, është anëtare e INTERPOL-it.