Ministria e Arsimit publikoi datat e mbajtjes së Testit të Maturës nëpër regjione

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë sot ka bërë tërheqjen publike të shortit për datat e mbajtjes së Provimit të Maturës Shtetërore nëpër regjione.

Sipas shortit, në regjionin e Prishtinës, pjesa e parë e Testit të Maturës do të mbahet më 12 qershor, në regjionin e Ferizajt dhe Gjilanit më 13 qershor, në regjionin e Prizrenit dhe Gjakovës më 14 qershor, ndërsa në regjionin e Pejës dhe Mitrovicës më 1 qershor.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se, pret administrim të mirë të procesit dhe rezultate të mira në test.

Ai bëri të ditur se kanë marrë të gjitha masat, për eliminimin e të gjitha dobësive, të cilat janë identifikuar gjatë mbajtjes së këtij provimi në vitin e kaluar.

“Shpresojmë që pas marrjes së informacioneve të renditjes së regjioneve, DKA-të do të fillojnë përgatitjet, në mënyrë që testi të zhvillohet sipas procedurave të parapara. Shpresojmë që edhe këtë vit të kemi mbarëvajtje të testit, pasi që viti i kaluar tregoi se kemi pasur një formë më të mirë të mbajtjes dhe vëzhgimit së testit, duke arritur që të kemi rezultate reale”, ka thënë Bytyqi.

Ministri gjithashtu ka deklaruar se Banka Botërore është shprehur e gatshme ta përkrahë MAShT-in në hapjen e debatit publik, për të gjetur formën më të mirë të organizmit të Testit të Maturës.

Në anën tjetër, renditja e regjioneve sipas tërheqjes së shortit, do të jetë e njëjtë edhe në pjesën e dytë të Testit të Maturës.

Ky test pritet të fillojë më 19 qershor në regjionin e Prishtinës, më 20 qershor në regjionin e Ferizajt dhe Gjilanit, më 21 qershor në regjionin e Prizrenit dhe Gjakovës, si dhe më 22 qershor në regjionin e Pejës dhe Mitrovicës.