Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi

Ministri Bytyqi: Po bëhet përpjekje institucionale që të krijohen kushte më të mira për fëmijët

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi sot ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare ”Shëndeti, Mirëqenia dhe të Drejtat e Fëmijëve”.

Ai ka thënë se kjo konferencë e organizuar në prag të shënimit të 1 Qershorit-Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, është e veçantë, sepse po flasim për pjesën më të rëndësishme të shoqërisë.

“Po bëhet përpjekje institucionale që të krijohen mundësi dhe kushte më të mira për fëmijët, në mënyrë që ata të rriten të shëndetshëm dhe të përgatiten për të qenë lider të së ardhmes. Qeveria në bashkërendim me institucionet tjera vendore dhe në përkrahje të madhe të partnerëve ndërkombëtarë, po bënë përpjekje të vazhdueshme që të ndërtojë politika të mirëfillta për të siguruar të drejtat e fëmijëve dhe për t`u siguruar atyre edukim dhe arsimim të mirëfilltë.”, ka thënë Bytyqi.

Tutje ai ka deklaruar se Ministria e Arsimit, është e angazhuar që të krijojë mundësi të përfshirjes në edukimin në fëmijëri të hershme dhe se ky angazhim është shtuar edhe me aktivitete vetëdijësuese për prindërit.

Kjo konferencë është organizuar nga Zyra e Kryeministrit, në të cilën ishin të pranishëm edhe Shefi Zyrës së UNICEEF-it në Kosovë, Murat Sahin dhe përfaqësues tjerë vendor e ndërkombëtar.