Ministri ‘Bekon’ Rektorin e Ri, i Premton Fonde

Zgjedhja e rektorit të ri të UP-së do të sjellë stabilizim në Universitetin e Prishtinës, u tha sot në pranimin e detyrës së drejtuesit të ri të universitetit, Marjan Demaj.

Kryetari i Këshillit Drejtues të UP-së, Ismet Salihu, tha se rektori do ta ketë mbështetjen e senatit për vendimet që do t’i marrë në lidhje me universitetin.

“Mendojmë se me zgjedhjen e rektorit do të fillojë stabilizimi i Universitetit të Prishtinës, dhe ecja përpara në shkencë kulturë, arsim dhe të reagojmë në të gjitha problemet të cilat i takon”, tha Salihu.

Ndërkaq Ministri i Arsimit Arsim Bajrami tha se me kontributin që ka dhënë gjithë jetën në ndërtimin e këtij universiteti,  Demaj ka fuqinë dhe vullnetin që të fillojë procesin e stabilizimit të Universitetit të Prishtinës.

“Ne jemi të sigurt që koha e krizave në universitet po përfundon, jemi të sigurt që ekziston një vullnet për konsensus i të gjithëve, që ky universitet mundet të ndërtoj një sistem të avancuar të arsimit të lartë”, tha Bajrami.

Ai shtoi se në universitet duhet te krijohet një klimë pozitive sepse universiteti nuk e meriton të degradohet.

“Qeveria e Kosovës do t’i rrisë fondet për Universitetin e Prishtinës, ne do të punojmë bashkë me universitetin në legjislacion, të krijojmë partneritet dhe të punojmë që së bashku të ndërtojmë universitetin drejt nevojave të tregut të punës”, tha  Bajrami.

Ndërkaq Rektori i Universitetit të Prishtinës Marjan Demaj, tha që vendimin të cilin ai sot ka pranuar e obligon që të jetë i përkushtuar në udhëheqjen e drejtë të Universitetit.

“Premtimet të cilat i kam dhënë nga programi im dhe mbështetjen e madhe që ma kanë dhanë studentet, stafi akademik dhe këshilli drejtues më obligojnë që ta shkrij të gjithë potencialin tim”, theksoi Demaj

Ai shtoi se do të kenë bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet që Universitetin e Prishtinës ta rangojnë në vendet më të larta të arsimit.

“Edhe sot i premtova ministrit Bajrami që do të kemi kontakte shumë të shpeshta në mënyrë që universitetit të Prishtinës të ja bëjmë vendin jo vetëm në rajon por edhe në hapësirat  evropiane të arsimit të lartë”, tha ai.

Ai tha se janë të vetëdijshëm për mangësitë në Universitet mirëpo përmes trajnimeve kjo do të ndryshojë.

“Natyrisht kemi të meta, nuk ka ideale askund, mirëpo po premtoj që do ti plotësojmë të gjitha mangësitë dhe do ti trajnojmë qoftë stafin, qoftë studentet qofte administratën që të jemi lider në mënyre që potencialin profesional ta shfrytëzojmë në mënyrë optimale”, tha ai.