Merr ‘Vizë’ Avokati i Popullit

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar dhe Avokati i Popullit Hilmi Jashari nënshkruan sot memorandum bashkëpunimi për të adresuar një prej kushteve për procesin e liberalizimit të vizave.

Dokumenti ka të bëjë me sistemimin e institucionin të ngarkuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në një objekt të përhershëm, meqë deri më tani Avokati i Popullit ka funksionuar në një objekt privat.

Ministri Yagcilar tha se ky nënshkrim po plotëson edhe një kusht për liberalizimin e vizave dhe e gjithë kjo falë angazhimit të Avokatit të Popullit Hilmi Jasharit i cili, sipas tij, i ka dhënë përparësi interesit shtetëror duke gjetur bashkëpunim në funksion të avancimit të agjendës evropiane të Republikës së Kosovës.

“Qeveria do të vazhdojë edhe më tutje me realizimin e objektivave për të mirën e qytetarëve dhe institucioneve shtetërore”, tha Yagcilar.

Ky institucion do të vendoset në ndërtesën e ish Bankës së Lubjanës në qendër të Prishtinës, meqë Gjykata Kushtetuese refuzoi ta lirojë objektin ku e ka selinë për t’u zhvendosur në Pallatin e Drejtësisë në periferi të qytetit.

“Institucioni i avokatit të popullit përfaqëson një mekanizëm qenësor në mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, tha Zëvendës Ministri i Integrimeve Evropiane, Ramadan Ilazi.

Avokati i Popullit Hilmi Jashari tha se e ka pranuar këtë kompromis “për shkak të interesit shtetëror”.

“Përballë kësaj situate Institucioni i Avokatit të Popullit nuk ka pasur zgjidhje tjetër, e kemi pranuar një zgjidhje të tillë dhe sot kemi arritur përfundimisht nënshkrimin e memorandumit”, tha Jashari.

Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar mirëpriti marrëveshjen e sotme.

Ai falënderoi Avokatin e Popullit për qasjet e tij, siç i cilësoi, konstruktive.

“E gjithë kjo është një parakusht i rëndësishëm që Avokati i Popullit të jetë në gjendje për të kryer rolin e tij kushtetues për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe institucioneve të njeriut nga veprimet e paligjshme dhe të parregullta ose mosveprimet e autoriteteve publike”, tha Zhbogar.

Ai nuk deshi të parashikojë nëse do të ketë liberalizim të vizave për kosovarët gjatë këtij viti.

Gjetja e një selie për Avokatin e Popullit ka qenë njëra ndër tetë kriteret e paplotësuara të Kosovës të vendosura nga BE për të marrë rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave.