Menaxheret e Hotel ‘Victory’ Akuzojnë Pushtetin

Menaxherja gjenerale e Hotel Victory, Mimoza Selmani tha se bastisja e ditës së sotme është bërë pa vendim gjyqësor.

Policia sot i ka rënë në derë këtij hoteli pasi Agjencia e privatizimit e ka evidentuar atë në listën e pronave shoqërore të uzurpuara.

Hoteli në hyrje të Prishtinës për shumë vjet ka qenë arenë e ngjarjeve të shumta të mbështetura nga institucione vendore e ndërkombëtare ndërsa shumë mysafirë të huaj kanë gjetur akomodim në këtë hotel që si specifikë të veten ka kopje të ‘Statujës së Lirisë’ në kulm të saj.

“AKP-ja ka përdorur aparatin e shtetit e ka përdorur policinë e Kosovës, uniformën e shtetit tonë për të asistuar në një krim të organizuar të AKP-së”, tha Selmani.

Ajo shtoi se Hotel Victory është investitor legjitim me të gjitha dokumentet e nevojshme.

“Ne jemi investitor legjitim më të gjitha dokumentet të cilat i kanë parë edhe policia dhe dje parimisht është pajtuar me to ka kërkuar që ta ndalojnë këtë proces për shkak se e kanë parë se ne kemi kontratë shfrytëzimi, e kemi regjistrimin e ARBK, i kemi investimet e audituara të cilat janë të pranueshme për proces të likuidimit”, shtoi menaxherja e Hotel Victory.

Ajo bastisjet e sotme i konsideron “plaçkitje” pasi që, sipas saj, në objektin e Hotel Victory nuk ka qenë asnjë përfaqësues.

“Janë duke e bërë komplet konfiskimin e pronës private, pa qenë një përfaqësues i yni. Ne këtë e llogarisim plaçkitje”, shtoi ajo në fund.

Leonora Selmani, Menaxhere Ekzekutive tha se kjo formë e hyrjes në Hotel Victory ka qenë formë brutale.

“Sot pushteti në emër të shtetit po dëshiron ta përdorë të  kriminalizojë edhe të legjitimojë  krimin edhe po dëshiron që në formën më brutale me asgjësuar dhe me shkatërru investimin 16 vjeçar”, tha Selmani.

Hoteli Victory është pronë e biznesmenit Bedri Selmani. Për shumë vjet ai ka qenë pjesë e strukturave të PDK-së, ndërsa për një mandat ka qenë edhe deputet i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa Leonora Selmani shtoi se pavarësisht ngjarjes që ka ndodhur nuk do të heqin dorë nga Hoteli Victory përderisa nuk kanë dokumente të cilat vërtetojnë se kjo pronë është e uzurpuar.

“Këta sot po dëshirojnë ta legjitimojnë krimin në emër të një heroizmi që kinse po shpëtojmë diçka, kënd po e shpëtojnë shtrohet pyetja kur ne kemi qenë me logo me kompani me emër mbiemër. Ku kanë qenë këta që 16 vite pasi që po pretendojnë se qenkemi pjesë e krimit të organizua e ku paskan qenë këta që po pretendojnë se paskemi qenë uzurpatorë. Ne nuk do të heqim dorë nga vendi ynë”, tha ajo.