Ministria e Drejtësisë pritet t`i shpenzojë edhe 225 mijë euro për ekzekutimin e vendimin të arbitrazhit në rastin e ‘Hotel Victory’, Auto Prishtina – Auto Kosova dhe pompat e benzinës ‘Kosova Petrol’

E mbrojti Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në rastin e ish deputetit Bedri Selmani, me kompaninë amerikane “Squire Patton Boggs (US) LLP” në përfaqësimin e se cilës Kosova e fitoi rastin, Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Drejtësisë pritet të nënshkruaj kontratë të re për zbatimin e vendimit të kësaj gjykate.

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se pritet të ekzekutojë vendimin ‘24443 MHM HBH’ në rastin kundrejt Bedri Selmanit.

Për ekzekutimin e vendimit, Ministria ka rekomanduar kompaninë e cila pritet t’i kryej shërbimet e ekzekutimit të këtij vendimi.

Nëpërmjet procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët, Ministria e ka rekomanduar për kontratë “Squire Patton Boggs (US) LLP”, nga New York-u të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vlerë të përgjithshme të kontratës 225,000 euro.

KALLXO.com ka siguruar edhe vendimin e Gjykatës së Abritrazhit

Kosova e fitoi rastin

Në muajin gusht të sivjetëm, KALLXO.com raportoi se Kosova e fitoi rastin kundrejt ish deputetit Bedri Selmani, i cili kishte kërkuar 65 milionë euro nga Kosova në Arbitrazhin Ndërkombëtar.

Në rrjetin social “Facebook”, ministrja e Drejtësisë në vend, Albulena Haxhiu, kishte shkruar se pas më shumë se dy vite betejë ligjore si pasojë e nje padie të inicuar nga një person, Republika e Kosovës ka triumfuar në arbitrazh ndërkombëtar.

Ministrja Haxhiu kishte njoftuar edhe për hapat që po ndërmerren nga institucioni që ajo udhëheq.

“Avokatura Shtetërore në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, në bashkëpunim me firmën ligjore që përfaqëson Republikën e Kosovës në arbitrazh, tashmë kanë filluar hapat e radhës për ekzekutimin e vendimit të arbitrazhit dhe inkasimin e shpenzimeve”- citohet të ketë shkruar ministrja Haxhiu në rrjetin social “Facebook”.

Selmani këto miliona i kërkoi si kompensim për dëmet e pretenduara nga ai për “shpronësimin e investimeve” për hotelin “Victory”, Auto Prishtina – Auto Kosova dhe pompat e benzinës “Kosova Petrol”.

Rasti ishte dërguar në Arbitrazh nga Bedri Selmani pasi Agjencia Kosovare e Privatizimit e kishte larguar nga pronat shoqërore: Hotel Victory, Auto Prishtina-Auto Kosova dhe disa pompa të benzinës “Kosova Petrol” që ishin të shtrira në disa qytete të Kosovës. Largimi nga këto prona është bërë meqë AKP-ja që menaxhon me pronat shoqërore e ka konsideruar uzurpator ish-deputetin e PDK-së, Bedri Selmani.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit, në vazhdën e aktiviteteve për lirimin e aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore nga uzurpatorët, sot ndërmori aksionin për lirimin e asetit të Ndërmarrjes Shoqërore “Auto Prishtina”, i njohur si Hotel Victory dhe të disa aseteve të tjera të kësaj ndërmarrjeje”- thuhej në komunikatën e AKP-së të lëshuar me 3 qershor 2016.

Bedri Selmani e kishte dorëzuar padinë ndaj Republikës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris të Francës, më 29 prill të vitit 2019.

Qeveria Haradinaj, më 19 korrik 2019, e kishte autorizuar Ministrinë e Drejtësisë që drejtohej në atë kohë nga Abelard Tahiri i PDK-së, për inicimin e procedurave të negociuara pa publikimin të njoftimit për kontratës për përzgjedhjen e përfaqësuesit të autorizuar për mbrojtjen e Kosovës në Arbitrazh ndaj Bedri Selmanit.

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi së pari më 9 prill 2012 se Agjencia Kosovare e Privatizimit, përgjegjëse për administrimin e të gjitha ish-ndërmarrjeve shoqërore në vend, e përshkruante Kosova Petrol-in në një raport të vitit 2011 si ndërmarrje okupuese të pronës shoqërore pasi kompania figuronte 23 herë si okupues i pompave të INA-s në pika të ndryshme të vendit. Selmani ishte deputet i PDK-së në periudhën 2001-2004 si dhe përfaqësues për Kroaci i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vitin 2016, Policia e Kosovës ia kishte vënë shiritat hotelit “Victory” dhe ia ka kthyer pronën Agjencisë së Privatizimit. E njëjta e ka nxjerrë në shitje përmes likuidimit ndërmarrjen Auto Prishtina, pjesë e të cilës është  edhe  ‘Hoteli Victory’, ku tash janë të vendosur Policia e Kosovës.

Vajza e Bedri Selmanit, Mimoza Selmani, si menaxhere e këtij hoteli pati thënë për media se bastisja e ‘Hotel Victory’ është bërë pa vendim gjyqësor.

Kush është kompania ‘Squire Patton Boggs (US) LLP’

Sipas të dhënave të publikuara, Squire Patton Boggs (US) LLP, është një kompani ndërkombëtare ligjore me gjithsej 45 zyre në 20 shtete. Ajo u formua në vitin 2014 nga firmat ligjore shumëkombëshe Squire Sanders me Patton Boggs me qendër në Washington D.C.

Në sajtin zyrtar të kompanisë e cila përfaqëson Kosovën në Arbitrazh, përmendet se kompania “Squire Patton Boggs (US) LLP”, ka arritur të fitoj rastin në një mosmarrëveshje investive në vlerë 380 milionë euro nga një investitor privat gjerman. Duke detyruar kështu paditësin të paguaj mbi 2 milionë dollarë për tarifat dhe shpenzimet e shkaktuara për mbrojtje.

Tutje, për ta mbrojtur Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit me kompaninë në fjalë, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar kontratë për përfaqësim ligjor kundrejt padisë së Blerim Devolit, “Iute Credit”, dhe “Contour”.

Për përfaqësimin ligjor, për këto tri pjesë të tenderit, Ministria e Drejtësisë ka negociuar kontrata gjithsej 1 milionë e 575 mijë euro.