Ceremonia e varrimit të policit Armend Trena - Foto: KALLXO.com

Me nderime të larta varroset polici Armend Trena

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Armend Trena, është varrosur sot me nderime shtetërore në fshatin e tij të lindjes, Begracë të Kaçanikut.

Trupi i pajetë i policit Armend Trena u gjet dje pasdite në ujërat e lumit Lepenc, ku me veturën zyrtare bashkë me kolegun e tij, Malsor Dashi, kishin rënë në mbrëmjen e 28 prillit.

Familjen, miqtë e kolegët e policit Armend Trena i ka ngushëlluar ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, përmes një telegrami.

Në telegramin e ngushëllimit ministri Gashi ka thënë se MBP do ta kujtojë policin Armend Trena çdoherë si një punëtor shembullor.

Ndërsa, në një fjalë rasti, togeri Jaser Jaha nga stacioni policor i Kaçanikut, tha se ai dhe kolegët e tij ndihen të trishtuar nga dhimbja e shkaktuar nga vdekja e kolegut Armend Trena.

Ai tha se Armend Trena po i lë në kohën kur më së shumti i duhej familjes, shërbimit e atdheut.

Togeri Jaha tregoi se polici Armend Trena, i lindur më 1983, ishte rekrutuar në gjeneratën e 43-të të Policisë.

Ai e përshkroi policin e ndjerë si i dashur për kolegët dhe që i kryente të gjitha detyrat në mënyrën më të mirë të mundshme dhe me një përkushtim të madh për sigurinë e qytetarëve.

“Shembulli i Armendit e Malsorit duhet të jetë mësim se si duhet kryer puna me përkushtim”, theksoi togeri Trena.

Në emër të kryetarit të Komunës së Kaçanikut, familjarët, miqtë dhe kolegët e Armend Trenës i ka ngushëlluar nënkryetari Ylber Bajra.

“Edhe Armendi sikurse Malsori me plot përkushtim ndaj punës, vendosi që t’i shërbejë atdheut. Armendi e Malsori do të mbahen mend gjithmonë si dy policë shembullorë, të cilët ishin në kryerje të detyrës dhe në shërbim të popullit”, tha ai.

Trupi i pajetë i policit Armend Trena u gjet dje pasdite në ujërat e lumit Lepenc, ku me veturën zyrtare bashkë me kolegun e tij, Malsor Dashi kishin rënë në mbrëmjen e 28 prillit.

KALLXO.com transmetoi LIVE ceremoninë e varrimit të policit Armend Trena.