Foto: Kallxo.com

EKSKLUZIVE: Detajet nga raporti i autopsisë së dy policëve

Në një deklaratë për KALLXO.com kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, ka konfirmuar se kanë pranuar raportin e autopsisë, i cili ka sqaruar detajet e vdekjes së dy policëve, Malsor Dashi e Armend Trena.

“Kemi marrë raportet e obduksionit për të dy policët, Armend Trenën dhe Malsor Dashin. Sipas raportit del se trupat e dy policëve kanë vdekur para se të bien në lumin Lepenc”, tha kryeprokurori i Ferizajt për KALLXO.com.

“Kjo për arsye se të njëjtit pasi janë vetaksidentuar, kjo e vërtetuar me raport të ekspertizës së komunikacionit, kanë pësuar lëndime në pjesën trunore dhe ka bërë që dy policët të bien në lumin Lepenc të vdekur”, tha Jashari.

Po ashtu, kryeprokurori tha se sipas raportit të obduksionit, dy policët kanë pësuar lëndime trupore gjatë rrokullisjes me veturë.

Sipas Shukri Jasharit, raporti i ekspertizës së komunikacionit tregon se policët janë vetaksidentuar.

Dy policët e Kosovës, Malsor Dashi e Armend Trena humbën jetën kur me veturën zyrtare ranë në ujërat e lumit Lepenc në mbrëmjen e 28 prillit.

Trupat e tyre u gjetën disa ditë më vonë në ujërat e lumit Lepenc pas kërkimeve nga ekipet e Policisë, FSK-së, Zjarrfikësve e qytetarëve vullnetarë.