Naser Oriq jashtë gjykatës në Sarajevë. Foto: BIRN.

Mbrojtja Kërkon të Lirohet nga Akuzat Komandanti Naser Oriq

Avokatja mbrojtëse në gjykimin e ish-komandantit të Ushtrisë Boshnjake në Srebrenicë, Naser Oriq, i bëri thirrje gjykatës ta lirojë atë nga akuzat për vrasjen e tre ushtarëve serbë në vitin 1992.

Në deklaratën e saj përfundimtare në gjyqin e ish-komandantit të Srebrenicës Naser Oriq në gjykatën shtetërore në Sarajevë sot mbrojtja tha se e gjithë padia, si edhe prova e prokurorisë, bazoheshin në deklaratat e një dëshmitari jo të besueshëm.

Mbrojtja tha se Oriq dhe ish-ushtari i Ushtrisë Boshnjake Sabahudin Muhiq, i cili është në gjyq bashkë me të, duhet të lirohen nga akuzat për vrasje të paligjshme të tre ushtarëve serbë në fshatrat Zalazje, Lolici dhe Kunjerac afër Bratunacit më 1992.

Avokatja mbrojtëse e Oriqit, Lejla Çoviq, tha se dëshmitari i mbrojtur i prokurorisë, i njohur me emrin e koduar O-1, ishte dënuar disa herë dhe se për të kishte një urdhër arresti sepse evitoi paraqitjen në gjykatë.

O-1 u përmend në padi si dëshmitar okular për të gjitha vrasjet për të cilat akuzohen të akuzuarit.

Por Çoviq tha se O-1 dha tre deklarata të ndryshme në lidhje me anëtarësimin e tij në Ushtrinë Boshnjake.

Ajo tha gjithashtu se asnjë nga provat e paraqitura në gjyq nuk konfirmon se Oriq ka kryer vrasjen e ushtarit serb Slobodan Iliq.

“As O-1 nuk e tha këtë, përveçse tha se ai e pa Oriqin duke e qëlluar Iliqin me një thikë. Pasi ai u rrëzua në gjunjë, dyshohet se Iliq u qëllua përsëri në kraharor. Dëshmitari ekspert Rifat Kesetoviq nuk ishte në gjendje të përcaktonte se këto plagë specifike mund të jenë shkaku i vdekjes së Iliqit,” tha Çoviq.

Ajo shtoi se dëshmitarët konfirmuan se Iliq u vra në një shkëmbim zjarri.

Ajo tha se nuk ishte vërtetuar as përgjegjësia e Oriqit për vrasjen e ushtarit serb Milutin Millosheviq.

“O-1 tha se Oriq qëlloi një breshëri me plumba ndaj Millosheviqit dhe Muhiqi pastaj bëri të njëjtën gjë. Kjo do të thotë se trupi i tij kishte rreth 15 plumba, siç pretendohet nga dëshmitari O-1 dhe prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës,” tha Çoviq.

Megjithatë, ajo shtoi: “Dëshmitari ekspert Zoran Stankoviq tha, duke paraqitur gjetjet e tij, se në trupin e Millosheviqit u gjet një plumb pistolete dhe se ky ishte ndoshta shkaku i vdekjes së tij. Pra, vetëm një plumb.”

Sipas prokurorisë, viktima e tretë, Mitar Saviq, vdiq pasi u qëllua nga Oriq dhe më pas nga Muhiq.

Por Çoviq tha se kjo përsëri bazohej në dëshmi jo të sakta nga dëshmitari O-1.

“Stojanka Saviq, bashkëshortja e burrit të vrarë, tha se ajo dëgjoi nga shokët e Saviqit se ai u vra në një hendek dhe se ai ishte lënduar në zonën e gojës,” tha Çoviq.

Sipas akuzave, Oriq ishte komandant i njësive të mbrojtjes territoriale të Ushtrisë Boshnjake në Srebrenicë dhe Muhiq ishte anëtar i forcave të tij.

Çështja kundër Oriqit ka shkaktuar kritika nga boshnjakët të cilët e shohin atë si një hero për rolin e tij në mbrojtjen e Srebrenicës në vitet para masakrave të vitit 1995.

Ajo është kritikuar edhe nga viktimat serbe të luftës, të cilët janë shprehur se akuzat kundër tij janë shumë modeste.

Avokatja e Oriqit ndërkohë është shprehur se ai tashmë është gjykuar dhe është liruar nga akuzat nga Gjykata e Hagës, kështu që gjykimi përsëri i tij në Sarajevë s’është i drejtë.