Mbledhje komemorative dhe homazhe për akademik Idriz Ajetin

Me nderime i është dhënë lamtumira e fundit akademik Idriz Ajetit, i cili vdiq mëngjesin e ditës së sotme në Prishtinë.

Zyrtarë të lartë shtetërorë, personalitete shkencore dhe të kulturës kanë vlerësuar lartë kontributin shkencor dhe human të Ajetit.

Për të nderuar akademik Ajetin, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës mbajti sot një mbledhje komemorative dhe homazhe për t’ i dhënë lamtumirën akademikut që vdiq në moshën 102 vjeçare.

Duke folur gjatë mbledhjes komemorative për veprën e Ajetit, kryetari i ASHAK-ut, Nexhat Daci ka thënë se akademik Ajeti ishte një prej përfaqësuesve më të çmuar të ASHAK-ut.

“Ai ishte një personalitet i cili në asnjë periudhe nuk lëshoi rregën e drejtësisë dhe rrugën kombëtare”, ka pohuar Daci.

Ndërsa akademik Rexhap Ismajli në fjalën e tij, ka thënë ndër të tjera se akademik Ajeti ishte një prej përfaqësuesve të shquar të brezit të intelektualëve të kosovarë që bënë shumë për zhvillimin shkencor.

“Si dijetar Ajeti tërë jetën punoi për drejtësi dhe arsimin të popullit të tij dhe mjedisit ku veproi”, ka thënë akademik Ismajli.

Pas homazheve të mbajtura në lokalet e ASHAK, në orët e pas ditës, trupi i pa jetë i akademik Idriz Ajetit është përcjellë për në varrezat e qytetit të Prishtinës.