Mbi 2 milion euro për Pishinën Olimpike në Prizren

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi së bashku me kryetarin e Prizrenit, Mytaher Haskukën kanë hedhur gurthemelin e Pishinës Olimpike në Prizren.

Projekt ky i cili është investim i MKRS-së dhe komunës së Prizrenit ka një kosto prej dy milionë e gjysmë eurosh, shkruan RTV21.

Ministri Gashi e ka cilësuar si investimin më të mirë të MKRS-së dhe ka thënë se Ministria ka ndarë 500 mijë euro për këtë projekt dhe do të ndajë edhe të tjera mjete sipas nevojës.

“Ky projekt ka qenë i paraparë me një kod buxhetor nga mjetet e siguruara prej AKP-së, por meqë ky ligj nuk ka kaluar në Parlament të Kosovës, ne e kemi siguruar një fond tjetër  dhe ajo që mundem me garantu sot komunën edhe punëkryesin, mjetet do t’i kenë të sigurta, veç kërkojmë një dinamikë të përshpejtuar të punimeve në mënyrë që për 36 muaj ky objekt të dorëzohet qytetarëve të Prizrenit, sportistëve të Prizrenit”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka e ka cilësuar si një projekt të qëlluar dhe ka thënë se bashkë me Ministrinë e Kulturës do të kujdesen që ky projekt të përfundojë në kohën e duhur, siç është paraparë për 36 muaj.

“Vlera e projektit është rreth dy milionë e gjysmë, është pishinë olimpike, është pishinë e mbyllur. Besoj që qytetit të Prizrenit i është nevojitur kjo dhe besoj që do të jetë një ndër objektet i cili do të vizitohet dhe do të përdoret më së shumti nga qytetarët e komunës së Prizrenit por edhe të rrethinës”, ka thënë Haskuka./21 Media