Mbajtjen e Haradinajt në Francë AAK e quan ‘Kidnapim Politik’

Këshilli Drejtues i AAK-së thotë se ndaljen e mëtejshme të kryetarit të partisë, Ramush Haradinaj, në Francë, tash e tutje do ta konsiderojnë kidnapim të pastër politik.

“Mbajtja e tij tash e dy muaj, nuk ka asnjë lidhje as me drejtësinë as me të shkuarën e Haradinajt, por me qëndrimet e tij parimore në raport me zhvillimet në Kosovë dhe për Kosovën”, thuhet në një komunikatë të Këshillit Drejtues të kësaj partie.

“Ua bëjmë me dije të gjithëve se Ramush Haradinaj nuk është vetëm dhe zvarritja e lirimit të tij mund të prodhojë pasoja të rënda për paqen dhe stabilitetin”, thuhet më tej në këtë komunikatë.

AAK thekson se kjo farsë gjyqësore me Haradinajn duhet të marrë fund menjëherë.

“Kërkojmë nga autoritet franceze që të mos vihen në shërbim të Serbisë, e cila është kthyer në mendësinë e vjetër dhe po don që sërish të shkaktojë trazira në Ballkan”, thuhet më tej në këtë reagim.

Autoritetet e Kosovës ndërkaq, duhet që me urgjence të vihen në levizje, sepse ndalja e Haradinajt nuk ka të bëjë me individin por është sulm ordiner mbi të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.

“AAK dhe shqiptarët nuk do të qetësohen përderisa ai të mos i kthehet vendit të tij dhe punëve që e presin në Kosovë.

Kosova ka nevojë për Ramush Haradinajn dhe prandaj askush nuk ka të drejtë që ta pengojë atë që të punojë për vendin e tij”, thuhet më tej në komunikatë.

Këshilli Drejtues i AAK-së vlerëson se nëse institucionet e Kosovës do të rezultojnë të pafuqishme në veprim, atëherë fatet e kësaj çështjeje do t’i marrë në dorë populli.

“Kosova ka dhënë boll për stabilitetin rajonal dhe nuk mund të japë më”, thuhet në komunikatë.

Më 4 janar, autoritetet franceze e kanë arrestuar Ramush Haradinajn në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia.

http://kallxo.com/arrestohet-ne-france-ramush-haradinaj/