Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në konferencën e fillimit të Javës për të drejtat e viktimave të krimit - Foto: Presidenca e Kosovës

Lumezi: Viktimat e Krimit do të Kompensohen së Shpejti

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha sot se së shpejti do të fillojë kompensimi i viktimave të krimit.

Në konferencën e fillimit të Javës për të drejtat e viktimave të krimit, Lumezi theksoi se kompensimi i viktimave është obligim ligjor andaj institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që këtë obligim ta realizojnë këtë vit përmes kompensimit të rasteve të para.

“Besoj se së shpejti do t’i kemi rastet e para që do të përfitojnë sipas ligjit për kompensimin e viktimave” ka thënë Lumezi.

Ai po ashtu e ka quajtur thelbësor rolin e prokurorëve në sundimin e ligjit dhe administrimin e drejtësisë.

Ndërsa, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në fjalimin e tij se përkushtimi në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të viktimave nuk duhet të jetë vetëm gjatë kësaj jave apo ndonjë jave të caktuar por të jetë i përditshëm.

“Ftoj të gjitha autoritetet kompetente që karshi obligimeve kushtetuese dhe ligjore të sigurohen që viktimat e krimit të trajtohen me dinjitet dhe profesionalizëm” ka potencuar Thaçi.

Presidenti Thaçi u bëri thirrje institucioneve kompetente që të informojnë qytetarët për të drejtat e tyre për kompensim.

Kurse Abelard Tahiri, ministër i Drejtësisë, tha se është lansuar programi për kompensimin e viktimave të krimit dhe se është aprovuar kërkesa e parë për kompensim financiar.

“Në muajin shtator komisioni për kompensim të viktimave të krimit ka trajtuar kërkesën e parë për kompensim dhe e njëjta është aprovuar konform kushteve të plotësuara sipas dispozitave ligjore në fuqi” është shprehur Tahiri.

Ndërsa, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, e ka quajtur përparim të madh faktin që Kosova ka përgatitur legjislacionin për mbrojtjen e viktimave të krimit.

“Jemi krenarë qe kemi mbështetur institucionet e Kosovës që nga ngjizja e tyre. Shpresoj që çdo prokuror dhe gjyqtar do ta marrë me seriozitet përgjegjësinë për trajtimin e viktimave. Nuk arrihet drejtësia nëse nuk ka drejtësi për viktimat e krimit” ka shtuar Delawie.

Për herë të parë Java për të drejtat e viktimave të krimit është organizuar në vitin 2010.

Kjo javë i dedikohet viktimave të krimit, viktimave të dhunës në familje, viktimave të dhunës seksuale, viktimave të trafikimit me njerëz, viktimave në rastet e vrasjes dhe rasteve të grabitjes.

Gjatë kësaj jave organizohen kampanja të ndryshme nëpër shkolla, objekte komunale, emisione televizive, publikime të ndryshme, për sensibilizimin e opinionit publik, ku qytetarët mund të bëjnë thirrje pa pagesë 24 orë në dhe 7 ditë në javë për të paraqitur rastin apo për t’u informuar e këshilluar për atë se çka është dhuna, se çka duhet bërë që të parandalohet dhuna.