Aleksandër Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit. Foto: Kallxo.com

Lumezi: Është realitet që në Kosovë ka më shumë korrupsion sesa po hetohet

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, në mbledhjen e 164-të të Këshillit Prokurorial pas shpalosjes së raportit nga ana e komisionit për zbatimin e planit strategjik të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, deklaroi se është realitet se ka më shumë korrupsion sesa po hetohet.

“Po thonë që ka shumë ma shumë korrupsion sesa po hetohet. Unë mendoj që është realitet Çdo ditë i keni pa shqetësimet e opinionit publik ku flitet për nivelin e lartë të korrupsionit”, tha Lumezi.

Ai kritikoi punën e Prokurorisë Speciale lidhur me lëndët e korrupsionit dhe kërkoi nga kryeprokurorët t’i mbikëqyrin më shumë prokurorët e tyre.

“Gjatë vitit që lamë pas Prokuroria Speciale i ka përfunduar 9 raste të korrupsionit prej atyre 5 me aktakuzë. A është e mjaftueshme me u krye 5 lëndë me aktakuzë brenda institucionit në të cilin funksionojnë 15 prokurorë? Këtu duhet me u rrit mbikëqyrja nga e prokuroreve nga ana e kryeprokurorëve të tyre, se vëmendja e opinionit është te veprat penale ku shkaktohet dëm i madh i buxhetit ose kur kryhen nga personat që janë në pozita të larta”, tha kryeprokurori.

Ai kërkoi punë më profesionale sa i përket rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike.

Para Lumezit, anëtarja e komisionit për zbatimin e planit strategjik të luftës kundër korrupsionit dhe krimeve ekonomike, Laura Pula shpalosi statistikat e kallëzimeve penale të trajtuara nga ana e prokurorisë për rastet e korrupsionit dhe krimeve ekonomike.

“Gjatë vitit 2018, në të gjitha prokuroritë kallëzime penale të korrupsionit në punë kanë qenë 638 lëndë me 1389 persona prej të cilave i kanë kryer 408 lëndë me 772 persona dhe në fund të vitit 2018 kanë mbetur të pazgjidhura vetëm 230 lëndë me 617 persona”, tha Pula.

Sipas këtij raporti, vetëm në 38% të këtyre kallëzimeve penale janë ngritur aktakuza.

Përqindje me e lartë e aktakuzave paraqitet te krimet ekonomike.

Sipas Laura Pulës, prokuroritë kanë ngritur aktakuza në 55% të kallëzimeve penale të pranuara që kanë të bëjnë me krimet ekonomike.

“Kallëzime penale të krimeve ekonomike gjatë vitit 2018, në punë kanë qenë 815 lëndë me 1230 persona, nga to janë kryer 485 raste dhe kanë mbetur të pakryera vetëm 380”, tha Pula.

Sipas rasteve të përfunduara ndaj 353 personave është ngritur aktakuzë për krime ekonomike, apo  55% e kallëzimeve penale të kësaj natyre kanë përfunduar me aktakuza.