Luftim i Krimit për Përfitim nga MSA-ja

Në konferencën ku po flitet për vendet e punës dhe zhvillimin ekonomik që do të mundësohet nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, Johannes Hahn, Komisionari për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim tha se “implementimi [i MSA-së] duhet të shoqërohet me reforma dhe sundim të ligjit”.

“Kërkesat kyçe janë-një gjyqësor efikas dhe me burime të mira dhe përkushtimi për luftimin rigoroz të krimit,” tha Hahn.

Komisionari foli edhe për përfitimet e Kosovës nga MSA-ja.

“Marrëveshja krijon një themel të fuqishëm ekonomik dhe politikë dhe krijimin e zonave të lira tregtare. Lëvizje të palimituar të produkteve kosovare. Në rajon, pas pesë vjetëve të hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, volumi tregtar është rritur,” tha Hahn.

Ai kërkoi progres të Kosovës në zbatimin e MSA-së gjatë 12 muajve të ardhshëm. Tha se Kosovës nuk do t’i mungojë përkrahja nga BE-ja.

“BE-ja ka dhënë mbi 3 miliardë euro në Kosovë dhe ka krijuar mijëra vende të punës. Nuk do të mungojë përkrahja e BE-së ndaj Kosovës,” tha Hahn.

Ai bëri të ditur se MSA-ja nuk rregullon sfidat e brendshme të Kosovës, ndërsa ftopi liderët të ulen e të bisedojnë për tejkalim të dallimeve.

Marrëveshja e Stabilizm-Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe BE-së ka hyrë në fuqi me datën 1 prill 2016.

Konferenca ku po merr pjesë Hahn ka për qëllim të shpjegojë ndikimet dhe përfitimet kryesore ekonomike të Kosovës nga MSA-ja, të demonstrojë që marrëveshja ka për qëllim t’i ndihmojë Kosovës të ec përpara në zhvillimin e saj ekonomik/afarist, t’u ndihmojë prodhueseve kosovarë të përfitojnë nga tregu i BE-së dhe bërjen e Kosovës më atraktive për investimet e BE-së.