Franko Simatoviq në gjykatë - Foto: MICT.

Luftëtari i 'Beretave të Kuqe': Frenki Simatoviq ishte komandanti ynë

Një dëshmitar i mbrojtur i koduar me emrin RFJ-150 tha në Mekanizmin për Gjykatat Ndërkombëtare në Hagë të martën se i pandehuri Franko “Frenki” Simatoviq ishte “komandanti kryesor” i njësisë në vitin 1995, ndërsa i akuzuari i tjetër Jovica Stanishiq ishte “shefi”.

Dëshmitari tha se ai u bashkua me njësinë “Beretat e Kuqe” ose “Burrat e Frenkit”, siç e quanin ata veten, në qershor 1995 në moshën 18 vjeçare.

Kur u pyet se përse njësia u quajt “Burrat e Frenkit”, dëshmitari u përgjigj: “Mori emrin e komandantit tonë në atë kohë – Frenki Simatoviq.”

Dëshmitari RFJ-150 shtoi se Stanishiq, shefi i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Serbisë, ishte mbi Simatoviqin në zinxhirin e komandës.

Ai kujtoi se si Simatoviqi i mbajti “një fjalim motivues” atij dhe anëtarëve të tjerë të njësisë në një bazë ushtarake gjatë stërvitjes së tyre.

“Ai pyeti: ‘Cili prej jush është gati të shkojë në aksion ushtarak, duke e ditur se nuk do të kthehet më?’ Pothuajse të gjithë u ngritëm në këmbë. Ai tha se njësia jonë duhej të kryente çdo detyrë, qoftë në Serbi apo jashtë vendit, por se dera e presidentit Sllobodan Millosheviq ishte gjithmonë e hapur për ne,” tha RFJ-150.

Kur u pyet se si e interpretoi komentin e Simatoviqit për “derën e hapur” të Millosheviqit, dëshmitari tha se kjo nënkuptonte se anëtarët e “Beretave të Kuqe” do t’u jepej gjithçka që u nevojitej për ta bërë njësinë efikase”.

Dëshmitari përmendi Zvezdan Jovanoviqin si një nga instruktorët e lartë që e trajnuan atë.

Jovanoviq mbikëqyri trajnimin për “eliminimet e heshtura” të armikut, tha RFJ-150.

Serbia e dënoi Jovanoviqin me 40 vjet burg për vrasjen e kryeministrit Zoran Gjingjiq në vitin 2003.

Stanishiq dhe ish-zëvendësi i tij i Sigurimit të Shtetit në Serbi janë në gjyq për përndjekje, vrasje dhe deportime gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnje dhe Hercegovinë.

Sipas akuzave, Beretat e Kuqe ishin nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit në Serbi,

Aktakuza pohon se Stanishiq dhe Simatoviq i kryen krimet e tyre si pjesë e një sipërmarrje të përbashkët kriminale që synonte largimin me forcë dhe në mënyrë të përhershme të kroatëve dhe boshnjakëve nga pjesë të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, të cilat më pas do të përfshiheshin në një shtet të unifikuar serb.

Stanishiq dhe Simatoviq deklaruan të dy se ishin të pafajshëm në dhjetor të vitit 2015 pasi apeli në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë rrëzoi vendimin e mëparshëm për lirimin e tyre nga akuzat.

Gjykata e apelit vendosi se kishte gabime serioze ligjore dhe faktike kur Stanishiq dhe Simatoviq u liruan fillimisht nga akuzat për krime lufte në vitin 2013.

Ajo urdhëroi që çështja të rigjykohej dhe të gjitha provat dhe dëshmitarët të ridëgjoheshin plotësisht nga gjyqtarët e rinj.

Gjyqi vazhdon të mërkurën.