Ismail Morina, 'Ballisti'. Foto: Facebook

Lirohet nga burgu 'Ballisti'

Ismail Morina, i njohur si ‘Ballisti’ ka dhënë lajmin se është liruar nga burgu. Ai ka publikuar një fotografi me konsullin e përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë në Bari të Italisë, Adrian Haskaj.

“Përgëzime të veçanta strukturave të shtetit shqiptar që janë përfshirë në përpjekjet për lirimin tim, respekt për Kroacinë dhe Italinë në paanshmërinë e treguar prej tyre dhe mirënjohje gjithë atyre që zbritën rrugëve të kryeqytetit shqiptar në mbrojtjen time”, ka shkruar Morina në Facebook.

Ismail Morina – ‘Ballisti’ ishte arrestuar më 10 qershor të vitit të kaluar në Kroaci, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet serbe. Morina kërkohej nga Serbia, për ngritjen e dronit me flamurin “Autochtonous”, në stadiumin e Beogradit, gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, në muajin tetor 2014.

Në Kroaci, Ismail Morina iu nënshtrua nëj sërë procesesh gjyqësore, për të shmangur ekstradimin në burgjet serbe, ndërsa në çështje u investuan edhe institucione politike të Shqipërisë, Kroacisë dhe Serbisë.

Më 28 mars të këtij viti, Kroacia vendosi të transferojë Morinën në Itali, ku edhe përfundimisht u lirua.

Postimi i Ismail Morinës në Facebook, Foto: Ismail Morina /Facebook