Ismail Morina, 'Ballisti'. Foto: Facebook

Gjykata Kroate Sërish Vendos për Ekstradimin e ‘Ballist’ Morinës

Gjykata në Dubrovnik sërish ka vendosur që ta mbështesë kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Ismail Morinës, të njohur me nofkën “Ballisti”, i akuzuar për lansimin e dronit mbi stadiumin e Breogradit gjatë ndeshjes kualifikuese për Euro 2016 ndërmjet Serbisë e Shqipërisë, raporton Balkan Insight.

Vendimi erdhi gati tri javë pasi Gjykata e lartë në Zagreb e kishte kthyer në rivendosje vendimin njëjtë të gjykatës në Dubrovnik.

Përderisa familjarët dhe përfaqësuesit ligjorë e kanë kundërshtuar vendimin për ekstradim, Ministria serbe e Drejtësisë kishte premtuar se do të respektojë të drejtat e Ismail Morinës nëse ekstradohet nga Kroacia.

Ismail Morina, shqiptar me origjinë nga rrethi i Kukësit, zemëroi nacionalistët serbë në tetor 2014 kur fluturoi mbi fushë një dron që mbante një flamur me hartën e Shqipërisë së Madhe gjatë një ndeshjeje ndërkombëtare midis Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd.

Policia kroate e arrestoi Morinën në Dubrovnik në qershor, sipas një urdhërarresti serb, ndërsa ky po shkonte në Itali, ku jeton prej vitesh me familjen.