Foto: KALLXO.com

KALLXO 360: Libri si Njohje e Vetes dhe Tjetrit

Panairin, Kryeministri Mustafa e vlerësoi një ngjarje që i bën bashkë rreth librit të gjithë shqiptarët.

“Kjo festë thërret në kujtesën tonë për rëndësinë që ka libri për njerëzimin dhe për emancipimin dhe përparimin e tij si dhe për kënaqësinë që ofron libri për kulturën tonë,” tha ai.

Zëvendësministri i Kulturës së Shqipërisë Zef Çuni tha se kemi nevojë ta njohim njëri-tjetrin dhe të tjerët dhe libri sipas tij e jep këtë mundësi.

“Ne shqiptarët kemi nevojë të njohim mirë njëri-tjetrin por në të njëjtën kohë kemi nevojë të njohim edhe kulturën edhe librin e huaj nëpër botë dhe Evropë sepse është Evropa ajo që në synojmë të bashkohemi me të dhe bashkimi më së miri bëhet përmes kulturës,” tha ai.

Edhe ambasadori i Norvegjisë në Kosovë Jan Braathu foli për njohjen e popujve me anë të librave, ndërsa tha se libri ende po kërkohet edhe në këtë kohë të zhvillimit teknologjik.

“Ne përkthejmë libra nga gjuhët e tjera në mënyrë që të kuptojmë kulturat e të tjerëve dhe njerëzit më mirë, dhe ky është një aspekt i mirë i panairit të sotëm që është një dritare jo vetëm për ne dhe fqinjët tanë por edhe një dritare për fqinjët tanë përtej kufijve,” tha ai.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Botuesve të Kosovës Daut Demaku, tha se ky panair tani ka mbushur 18 vjet dhe ka kaluar periudhën e adoleshencës.

Demaku që edhe vetë shkruan libra motivuese e të mendimit pozitiv, tha se vetëm kjo literaturë frymëzuese mund t’ua mundësojë njerëzve lirimin nga robëria shpirtërore.

Për Panairin e librit në Prishtinë, Ministria e Kulturës i ka dhënë Shoqatës së Botuesve 7 mijë e 500 euro. Kjo shoqatë nga ministria për panairin e Tiranës ka marrë 4 mijë e 500 euro, për atë të Parisit 6 mijë dhe për panairin e Frankfurtit 11 mijë euro.

Daut Demaku e shpjegoi për KALLXO.com pse shkuarja në panairin e Frankfurtit kushton më shtrenjtë.

“Tenda gjermane është shumë e shtrenjta dhe ne paguajmë shumë për të, madje atje nuk shesim libra si këtu, pasi që është më shumë për t’u informuar me literaturat e vendeve të ndryshme,” tha Demaku.

Sipas tij në Frankfurt dërgohen vetëm katalogë të shkrimtarëve shqiptarë dhe ofrohet informacion në lidhje me veprimtaritë e tyre.

Në panairin e sivjetmë që do të jetë i hapur deri më 12 qershor, po marrin pjesë 100 botues me 1 mijë tituj të rinj.

Këtë vit në panair do të zhvillohen një varg aktivitetesh që përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të dymbëdhjetë personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore.

Panairi i librit në Prishtinë organizohet çdo vit nga Shoqata e Botuesve të Kosovës. Panairi i parë është mbajtur nga 17-22 nëntor 1999, ndërsa të tjerët organizohen gjatë muajve maj-qershor.