Labinota Demi-Murtezi | Foto: KALLXO.com

Labinotë Demi Murtezi: Terrorizmi S’ka Komb as Fe

Deputetja e Partisë së Drejtësisë kërkoi në Kuvend që të sqarohet çështja e pezullimit të punës së disa organizatave joqeveritare.

“Tash dy vjet qeveria ka pezulluar punën e ojq-ve nën dyshimet për lidhje me ekstremizimin fetar. Tash e dy vjet këto ojq mbesin të pezulluara pavarësisht transparencës,” tha Labinotë Demi-Murtezi në kohën e diskutimeve jashtë rendit të ditës.

Ajo foli posaçërisht për Asociacionin për Kulturë, Arsimim dhe Edukim (AKEA), njërën nga organizatat të cilës iu ndalua puna nga autoritetet kosovare.

“Rasti konkret AKEA e ka të rregulluar veprimtarinë në bazë të ligjeve në fuqi. MPB-ja dhe zyrtarë të agjencisë së inteligjencës kanë deklaruar se gjendja e sigurisë është e lartë. Ftoj organet e drejtësisë që të përshpejtojnë punën e tyre,” kërkoi Demi-Murtezi.

Deputetja tha edhe se “nuk ka lënë njeri pa thënë se terrorizmi nuk njeh as komb as fe. Tash presim hapa konkretë”.

16 organizata që në Kosovë vepruan kryesisht për çështje bamirësie u mbyllën në vitin 2014 nga shteti i Kosovës nën dyshimin për lidhje me organizata terroriste dhe rekrutim e propagandë për to.