Kundër Diskriminimit të Pacientëve me Epilepsi

Dita Ndërkombëtare Kundër Epilepsisë i gjen personat e prekur nga kjo sëmundje duke u përballur me shumë vështirësi, u tha sot në një organizim të shoqatës kundër epilepsisë për nder të  kësaj dite.

Një vit më parë, pacientët e sëmurë me epilepsi kanë pritur me muaj të tërë për një ekzaminim me EEG, një metodë për regjistrimin e aktivitetit elektrik të trurit.

Drejtori i Klinikës së Neurologjisë Nexhmedin Shala tha për KALLXO.com se gjërat janë përmirësuar pak në ndërkohë.

“Sot për ta kryer një EEG mund të pritet më së shumti një muaj jo më tepër arsyeja e pritjes është arsye e njohur. E kemi vetëm një aparat të EEG-së procedurat marrin shumë kohë 20 minuta regjistrim, 10 minuta përgatitje, 15 minuta interpretim. Megjithatë brenda 8 orëve ne arrijmë t’i kryejmë deri në 15-20 raste dhe më shumë ndonjëherë”, tha ai.

Ndërsa Valbona Govori, kryetare e Shoqatës Kundër Epilepsisë, tha se diskriminimi i vazhdueshëm i personave të prekur nga kjo sëmundje është një problem që kërkon të zgjidhet.

Ajo përmend edhe shembuj konkretë të diskriminimit.

“Te fëmijët në shkolla, një pacient nuk kishte mundësi të shkojë në ekskursion ngase kujdestari i klasës nuk pranon për shkak të frikës që do të ketë sulme epileptike dhe ai vjen e pyet përse unë nuk mund të shkoj”, tha Govori.

“Te të rinjtë kjo sëmundje ka efekt në punësimin e tyre, në statusin martesor”, u shpreh Govori.

Aktiviteti për nder të kësaj dite nuk solli aty as Ministrin e Shëndetësisë Imet Rrahmanin e as Drejtorin e Shërbimit Klinik Spitalor të Kosovës Curr Gjocaj, por Drejtori Shala nuk duket shumë i befasuar për këtë.

“Ministri Rrahmani nuk e ka vizituar ende Klinikën e Neurologjisë. Ne e mirëpresim në një vizitë të tillë por pavarësisht se kur dhe si e planifikon ai këtë vizitë ne vazhdojmë me procedurat rutinore të përditshme e vizitoi apo nuk e vizitoi ai klinikën”, tha Shala

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti tha për KALLXO.com nuk ka asnjë arsye konkrete për mos pjesëmarrjen e Ministrit në këtë aktivitet.

“S’ka pasë asnjë arsye tjetër veçse në pyetje ka qenë zënia me agjendë në disa takime të tjera. Si zakonisht të hënat janë më të ngarkuara”, tha ai.

Klinika e Neurologjisë e ka edhe një aparat që nuk është në funksion sepse nuk ka hapësirë dhe nuk ka edukim të stafit për përdorim të saj ndërsa drejtori thotë të ketë bërë kërkesa që të funksionalizohet kjo aparaturë dhe të bëhet edukimi i stafit për përdorim të saj.

Pacientët me epilepsi nuk gjejnë përkrahje të madhe as në listën e barnave esenciale.

“Në listën esenciale ekzistojnë vetëm tri ilaçe që nuk është mjaft për subvencionimin e këtyre të sëmurëve”, tha ai.