Foto: REL/TASS

Mungesë e barnave esenciale për të sëmurët me epilepsi

Ndonëse nuk ka statistika të sakta se sa është numri i personave që vuajnë nga epilepsia, sipas Shoqatës kundër epilepsisë, besohet se në Kosovë janë rreth 12 mijë njerëz që vuajnë nga kjo sëmundje. Data 10 shkurt, shënon Ditën Ndërkombëtare të Luftimit të Epilepsisë.

Për një vend si Kosova, ku ka mungesë të barnave dhe aparaturave gjegjëse, sfidat e trajtimit të kësaj sëmundjeje konsiderohen të shumta. Në Klinikën Neurologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjatë vitit 2019, janë trajtuar rreth 900 persona me epilepsi. Sipas përgjegjësve në këtë klinikë, sfida më e madhe ishte se aty mungojnë barnat jetike për trajtimin e epilepsisë.

Ndërkaq ajo që mbetet shqetësuese prej vitesh, sipas stafit mjekësor përgjegjës në këtë klinikë, është edhe mungesa e trajtimit kirurgjikal, që ka munguar gjithmonë në Klinikën Neurologjike në QKUK.

Nexhmedin Shala, neurolog, i tha Radios Evropa e Lirë, se në Kosovë bëhet shumë pak në intervenimet kirurgjikale për sëmundjen e epilepsisë. Aktualisht, thotë ai, mungon aparatura e sofistikuar, çka i bën të pamundura intervenimet kirurgjikale.

“Problemi është se cilësia e shërbimeve nuk është e duhur, pasi nuk ka aparaturë të përsosur për diagnostikim, deri te procedurat kirurgjikale për ata që kanë nevojë ta bëjnë këtë lloj trajtimi si zgjidhje të problemit”, tha Shala.

“Sa u përket barnave, furnizimin e kemi të mangët, duke u nisur nga lista esenciale që nuk janë të gjitha, pastaj barna specifike emergjente mungojnë, çka mund të ndikojë që pacienti të përfundojë me fatalitet”, shtoi Shala.

Njerëzit që vuajnë nga epilepsia, kryesisht janë të paaftë për punë, thotë neurologu Shala, duke kërkuar nga institucionet e Kosovës që të bëjnë diçka për t’u dalë në ndihmë këtyre njerëzve.

“Mbështetja institucionale për personat me epilepsi mungon pasi që nuk ka një ligj që ua mundëson një mbështetje financiare, pavarësisht që shumica janë të paaftë për punë”, tha Shala.

Në anën tjetër, Valbona Govori, kryetare e Shoqatës kundër epilepsisë, tha se Kosova vazhdon të mos ketë statistika të sakta të të prekurve me epilepsi. Për këtë arsye, ajo e sheh si shumë të nevojshëm raportimin e sëmundjes.

“Në vitin 2019, ne i kemi trajtuar rreth 949 pacientë me epilepsi. Por, ne si klinikë nuk kemi statistika të sakta për sëmundjen. Megjithatë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në të cilën thirremi në prevalencën e sëmundjes për kokë banori, del se në Kosovë janë rreth 12 mijë persona që vuajnë nga kjo sëmundje”, tha Govori.

Ajo shton se sëmundja e epilepsisë është e trajtueshme dhe mbahet nën kontroll, derisa shton se stigma në Kosovë vazhdon të mbetet sfidë.

“Ne vazhdimisht e sensibilizojmë popullatën dhe e ngrisim vetëdijen që është një çrregullim trunor që mbahet nën kontroll, qoftë me medikamente apo edhe intervenim kirurgjikal. Pacientët nuk duhet të jenë të stigmatizuar, pasi që shpesh edhe për shkak të mosinformimit të duhur për sëmundjen, pacientët vinë në stadin që edhe e fshehin sëmundjen. Ka pacientë që janë të diskriminuar në punësim, e të tilla. Këta për shembull, nuk e lajmërojnë sëmundjen për shkak të frikës se mos po e humbin vendin e punës. Kjo mendoj është shqetësuese”, tha Govori.

Ndryshe, sipas Govorit sëmundja e epilepsisë tashmë ka prekur 65 milionë njerëz në tërë botën, derisa vetëm në Evropë janë rreth 6 milionë njerëz të prekur me epilepsi.

Çdo vit, të hënën e dytë të shkurtit, shënohet Dita Botërore e Epilepsisë, ditë kjo kur njerëzit bashkohen për të nxjerrë në pah problemet që hasin personat me epilepsi, familjet dhe kujdestarët e tyre. Edhe Kosova ka shënuar këtë ditë me aktivitete të ndryshme, duke shpërndarë edhe fletushka informuese për këtë sëmundje./REL