Kthimi i artefakteve të marra nga Serbia ‘përplas’ ministrin Gashi dhe deputetin Kurteshi

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputeti i VV, Ismajl Kurteshi ka pyetur ministrin e kulturës Kujtim Gashi, për kthimin e artefakteve të cilat Serbia i ka plaçkitur në Kosove.

“Një pjesë e konsiderueshme e trashëgimisë kulturore me vlera të pa kompenzueshme për vendin tonë janë plaçkitur nga shteti i Serbisë në periudhën e luftës në Kosovë, për 677 artefakte arkeologjikë që janë të vendosura në lokacione të shumta në Serbi, sipas një marrëveshje të dy vendeve këto artefakte do të duhej të ktheheshin për 120 ditë, tani nga kjo marrëveshje kanë kaluar shumë vite dhe asgjë nuk ka ndodhur, a ka kërkuar ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit nga Beogradi që ti kthej këto artefakte”, tha Kurteshi

Ndërsa ministri Kujtim Gashi në përgjigjen e tij ka thënë se ka thënë që kjo çështje kur është diskutuar ministria ka dhënë faktet e saj dhe ka përcjellë kërkesat tek kryenegociatorja Edita Tahiri.

“Çështja e kthimit të eksponateve 677 arkeologjik dhe 571 etnologjike, kanë qenë temë e bisedimeve në kuadër të dialogut teknik. MKRS ka marrë pjesë vetëm një takim ku janë prezantuar temat si një platformë të shoqëruar me dokumentacion, gjatë kësaj periudhe dialogu është udhëhequr nga Edita Tahiri dhe të gjitha kërkesat e ministrisë janë përcjellë” tha Gashi.

Ndërsa për shkeljen e kësaj marrëveshjeve, Gashi tha se këtë shqetësim e ka ngritur në  çdo takim me diplomat të huaj e diskutojmë si brengë por sipas  kjo çështje duhet të adresohet edhe nga ambasadorët dhe ministria e Jashtme.