Kroacia Injoron Vendimin e Arbitrazhit për Gjirin Piran

Para një vendimi të shpallur të Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit në Hagë që pritet të bëhet sot rreth kontestit për ujërat territorialë ndërmjet Kroacisë dhe Sllovenisë, Kroacia e ka bërë të qartë se nuk do ta pranojë vendimin.

Në vitin 2015, Kroacia e mbështeti një vendim të qeverisë për ta braktisur procesin e arbitrimit rreth këtij kontesti pasi mediat zbuluan se biseda sekrete, te paautorizuara janë mbajtur ndërmjet një gjykatësi të gjykatës dhe përfaqësuesve sllovenë në këtë gjykatë.

Procesi i artbitrimit që nga ajo kohë ka vazhduar pa praninë e Kroacisë.

Ish Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq, një profesor i të Drejtës Ndërkombëtare, tha se vendimi i gjykatës që do të bëhet sot “nuk do të sjellë asgjë të re”.

“Do të mbesim në status kuo, asgjë të re nuk do të ketë pasi që Kroacia nuk e njeh asnjë vendim të gjykatës”, tha Josipoviq për BIRN duke e quajtur procesin “të komprometuar”. Ai tha se Kroacia bëri mirë që e braktisi këtë proces.

“Përderisa dy qeveritë sipas të gjitha gjasave do t’i vazhdojnë bisedat, duket se asnjëra nga to nuk do të zmbrapsen nga qëndrimet e tyre dhe të arrijnë marrëveshje”, shtoi Josipoviq.

Ai tha se zgjidhja e vetme afatgjatë është hapja e rastit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pasi që GjND “ka juridiksionin për të vendosur për kontestet ndërshtetërore dhe të marrë vendime në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.

Në korrik 2015, gazeta Vecernji List publikoi incizime të bisedave telefonike ndërmjet Jernej Sekolec, gjykatësit slloven të gjykatës dhe Simona Drenik, përfaqësuese e qeverisë sllovene.

Gjatë bisedave, të cilat nuk janë të lejuara, Sekolec zbuloi bashkëbisedime konfidenciale ndërmjet gjykatësve, duke parashikuar se vendimi i gjykatës do t’i japë Sllovenisë deri në 75 përqind të ujërave të Gjirit Piran, ashtu siç ka kërkuar Lubjana.

Qeveria dhe parlamenti i Kroacisë e patën quajtur këtë proces “të komprometuar” dhe “të kontaminuar”.

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq përsëriti qëndrimin e njëjtë edhe javën e kaluar.

“Arbitrimi është komprometuar dhe kontaminuar dhe ne u larguam me vendim unanim të parlamentit, tha ai.

“Vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe arbitrazhet duhet të respektohen por vetëm kur gjithçka është e qartë dhe korrekte”, shtoi ai.

Megjithatë, kryeministri slloven Miro Cerar tha të mërkurën se vendimi i gjykatës duhet të jetë “një ngjarje historike” për të dyja shtetet dhe një “Ditë D” për Slloveninë.

Milan Brglez, kryetar i parlamentit të Sllovenisë, tha të mërkurën se vendimi i gjykatës do të jetë ngjarja e tretë më e rëndësishme në historinë e vendit, pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1991 dhe hyrjes në NATO e BE në vitin 2004.

Kontesti ndërmjet Kroacisë e Sllovenisë për ujërat detarë në gadishullin e Istrias daton që nga koha e shpërbërjes së Jugosllavisë. Kjo rezultoi me bllokimin e përkohshëm nga Sllovenia të anëtarësimit të Kroacisë në BE.

Kryeministrja kroate Jadranka Kosor dhe kryeministri slloven Borut Pahor nënshkruan një marrëveshje arbitrimi në nëntor të vitit 2009 ndërsa procesi nisi në Hagë në vitin 2014.

Komisioni Europian në vitin 2015 tha se nuk ka pasur një “alternativë të qëndrueshme për procedurën e arbitrimin” rreth ujërave të kontestuar.