Fotografi gjatë takimit të Drejtorit Qalaj me strukturat policore, Foto: PK

Kriza në veri: Rashit Qalaj mbledh komandantët e Policisë

Zhvillimet e fundit në veri të Mitrovicës bashkoi strukturat e Policisë, duke përfshirë edhe ato në Mitrovicë dhe drejtorin e tyre Rashit Qalajn.

Me anë të një njoftimi, Policia ka thënë se sot drejtori i përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj ka mbajtur një takim zyrtar me stafin menaxherial të Policisë së Kosovës në DPP në Prishtinë.

Takimi konkretisht u realizua me drejtorët rajonalë të Policisë së Mitrovicës Veri, Mitrovicës Jugu, Zëvendësdrejtorët Rajonal, Shefat e Operativës, Shefat e Hetimeve Rajonale, Shefat e Njësive për Reagim të Shpejtë, Komandantët e Stacioneve Policore respektive, si dhe komandantët e pikave kufitare 1 dhe 31.

“Qëllimi i këtij takimi ishte koordinimi i veprimeve policore lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit, bashkëpunimi dhe bashkërendimi i aktiviteteve të Drejtorive rajonale policore, Policisë Kufitare, dhe Njësive të tjera, me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim duke garantuar funksionalitet të plotë në zbatimin e ligjit”, thuhet në njoftimin e policisë

Gjithashtu në takim sipas njoftimit u potencua rëndësia e realizimit të detyrave policore në mënyrë profesionale në funksion të mbajtjes së rendit dhe qetësisë, garantimit të lëvizjes së lirë pa lejuar rrezikim të sigurisë së asnjë qytetari apo edhe zyrtarëve policor gjatë kryerjes së detyrave të ligjshme policore.

“Takimi rezultoi me zotimin për angazhime dhe përkushtim nga të gjithë të pranishmit, me qëllim të përmbushjes së detyrave dhe obligimeve policore, të cilat janë në interes të qytetarëve dhe vendit”, thuhet në njoftim.

Ditë më parë, në veri të Mitrovicës, banorët serbë të katër komunave në veri të Kosovës kanë mbyllur lokalet e dyqanet e tyre siç kanë thënë ata për shkak të një “krize humanitare”.

Zbatimi i planit për ta paraqitur situatën si “krizë humanitare” ka filluar nga dita e hënë ndërsa ka vazhduar deri me sot.

Dy ditë pasi kishin qëndruar nën dry, shitoret e serbëve në komunat veriore të Kosovës janë hapur sërish sot në mëngjes.

Ato ishin mbyllur si pjesë e një proteste të serbëve ndaj vendosjes së taksës doganore 100 përqind për prodhimet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në fund të vitit të kaluar.

Qeveria e Kosovës e ka akuzuar qeverinë e Serbisë se qëndron prapa kësaj fushate të mbylljes së shitoreve si pjesë e një ‘propagande’ për ta inskenuar një ‘krizë humanitare’ për serbët në veri.