Punësimi - Foto: Rtv21
Kosova Kryeson me Punësim në Ballkanin Perëndimor
Rritja e punësimit prej 3,9 për qind gjatë vitit të fundit ka sjellë hapjen e 231,000 vendeve të reja të punës në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kjo sipas raportit “Prirjet e Tregut të Punës në Ballkanin Perëndimor 2018” të bërë publik sot nga Banka Botërore dhe Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare Vjenë (WIIW).
Shkalla e papunësisë ka pësuar gjithashtu rënie nga 18,6 për qind në 16,2 për qind, duke arritur nivele të ulëta historike në disa vende.
Vendi kryesues në rajon sa i përket punësimit është Kosova, që ka një rritje prej 9,2 për qind, ndjekur nga Serbia (4,3 për qind), Mali i Zi (3,5 për qind), Shqipëria (3,4 për qind), Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (2,7 për qind) dhe Bosnje Hercegovina (1,9 për qind).
Me gjithë progresin e bërë, shkalla e ulët e veprimtarisë, sidomos ndër gra dhe të rinj, kombinuar me shkallën e lartë të papunësisë afatgjatë dhe mbizotërimin e punësimit informal, vijojnë të paraqesin sfida për rritjen e qëndrueshme ekonomike në rajon.
“Rajoni ka bërë hapa të mëdha lidhur me përmirësimin e rezultateve të tregut të punës, krahasuar me vitin e shkuar, që do të thotë se më shumë individë po punësohen”, tha Linda Van Gelder, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.
“Megjithatë, ka një nivel të lartë individësh që nuk janë të punësuar, nuk kanë arsimin apo formimin e duhur profesional, dhe duhet të gjejmë mënyra t’i drejtojmë ata drejt mundësive të ardhshme”.
Papunësia e të rinjve në nivelin e 37,6 për qind është një sfidë themelore për rajonin.
Megjithatë, kjo shifër ka pësuar zbritje nga viti i i fundit dhe thuajse çdo vend në rajon po përjeton nivelet më të ulëta të papunësisë së të rinjve që prej vitit 2010.
Niveli në vende të ndryshme ndryshon nga 29 në Malin e Zi dhe Serbi, në më shumë se 50 për qind në Kosovë.
Sipas raportit, mund të jetë e vështirë për të rinjtë që shkëputen për periudha të gjata nga punësimi apo arsimi, të integrohen përsëri në tregun e punës.
Ata përballen edhe me hendek në paga, duke marrë deri në 20 për qind më pak se ata që janë punësuar më herët.
Raporti gjithashtu thekson se shkalla e punësimit të grave është në rritje, por këto nivele janë akoma të ulëta krahasuar me standardet evropiane.
Shkalla e punësimit të grave në rajon është 43,2 për qind dhe ndryshon nga një përqindje e ulët prej 13,1 për qind në Kosovë në përqindjen e lartë prej 52,3 për qind në Serbi.
Hendeku gjinor ka shënuar gjithashtu përmirësim që prej vitit 2010, duke çuan në ngushtim nga 28,9 për qind në Kosovë në 9,8 pikë përqindjeje në Malin e Zi.
“Prirjet ekonomike në rajon janë në drejtimin e duhur”, thotë Robert Stehrer, drejtor shkencor i Institutit për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, Vjenë.
“Përfshirja e më shumë individëve, veçanërisht të rinjve dhe grave në punësim, mbetet një nga sfidat kyçe në rajon për një konvergjencë të qëndrueshme ekonomike dhe shoqërore”.
Duhen trajtuar një sërë pengesash ndaj punësimit për të reduktuar emigracionin e vazhdueshëm nga rajoni, që është i zakonshëm sidomos tek të rinjtë dhe të arsimuarit.
Duhen më shumë njohuri për të trajtuar këtë situatë.
Vendet e rajonit duhet të bashkërendojnë të dhënat e tyre për emigracionin dhe të përmirësojnë regjistrimin e dhe bërjen të ditur të statistikave të migrimit.
Përdorimi i të dhënave me cilësi të lartë që janë në përputhje me standardet ndërkombëtare që lidhen me përbërjen e fuqisë punëtore, si në vend ashtu edhe jashtë tij, do të sillte analiza të sakta të dinamikave të tregut të punës në rajon dhe do të mundësonte hartimin e politikave që trajtojnë sfidat emigracionit, edhe si të përdoren përfitimet nga migrimi.
Lidhja më e mirë midis të diplomuarve në nivele të ndryshme dhe tregut të punës, si dhe ndërhyrjet më të hershme për të penguar largimin e studentëve mund të përmirësojnë mundësitë për punësim.
Politika si përkujdesja për fëmijët, mjedise përkujdesjeje për të moshuarit, marrëveshjet elastike të punësimit dhe më shumë vende pune me kohë të pjesshme, do të promovonin integrimin e grave në tregun e punës./21Media