Komuna e Skenderajt, Foto: Facebook

Komuna e Skenderajt gjobitet nga Gjykata e tenderëve

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) e ka gjobitur me 5 mijë euro Komunën e Skenderajt për shkeljet e bëra në tre tenderë, në rikonstruktimin e rrugës Rezallë-Likoc, ndërtimin e kanalizimit fekale në fshatrat Likoc – Abri –Murgëm dhe asfaltimin e rrugës Kuçicë – Ternav.

OShP e ka obliguar Komunën e Skenderajt që ta paguaj gjobën brenda 15 ditëve dhe po ashtu do të kërkoj që t’i anulohet licenca e prokurimit menaxherit të prokurimit të Komunës së Skenderajt.

Ata e kanë arsyetuar vendimin me ankesat që janë bërë nga operatorët ekonomik në lidhje me këta tenderë dhe shkeljet e Komunës së Skenderajt të konstatuara nga OShP-ja në lidhje me tre tenderët.

Operatori Ekonomik N.N “R&Rukolli” – Skenderaj kishte bërë ankesë më 13 gusht kundër njoftimit për anulimin e tenderit “Rikonstruktimin e rrugës Rezallë-Likoc” të iniciuar nga Komuna e Skenderajt.

Pronar i Kompanisë “R&Rukolli” është Rrustem Rukolli. Rrukolli ka qenë koordinator i mbrojtjes së Sami Lushtakut në rastin të njohur si Drenica. Ish-kryetari i Skenderajt ishte liruar nga të gjitha akuzat nga ky rast.

Në lidhje me këtë ankesë, paneli shqyrtues i OShP-së ka marrë vendim ku ka konstatuar se Komuna e Skenderajt me rastin e anulimit të këtij aktiviteti të prokurimit nuk iu ka përmbajtur nenit 62 të Ligjit për Prokurim Publik (LPP) dhe procedurave për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit.

“Paneli shqyrtues gjithashtu ka konstatuar se për shkelje të procedurave ligjore nga ana e autoritetit kontraktues dhe për shkak se nuk ka kërkuar me kohë që operatorët ekonomikë të vazhdojnë validitetin e ofertave do të ndërmarrë masa komfor nenit 23.9 dhe 131 të LPP-së”, thuhet në vendimin e OShP-së.

OE ankues “Graniti COM shpk & NN Infra Plus”- Skenderaj kishte deponuar ankesë në OShP, me 16 gusht kundër njoftimit për anulim, lidhur me tenderin “Ndërtimi i kanalizimit fekale në fshatra Likoc-Abri-Murgë” të iniciuar nga Komuna e Skenderajt.

Paneli shqyrtues i OShP-së ka konstatuar se Komuna e Skenderajt me rastin e anulimit të këtij aktiviteti të prokurimit nuk iu ka përmbajtur nenit 62 të LPP-së dhe procedurave për anulimin e këtij tenderi.

“Paneli shqyrtues gjithashtu ka sqaruar se edhe nëse do të rikthehej në rivlerësim ky aktivitet i prokurimit, rezultati do të ishte i njëjtë (anulim i aktivitetit të prokurimit), pasi që operatorët ekonomikë nuk kanë validitet të ofertave. Prandaj ka vendosur që të mbetet në fuqi anulimi i këtij aktiviteti të prokurimit me qëllim që nëse planifikohet që i njëjti aktivitet i prokurimit të ritenderohet, atëherë mos të humbet kohë, sepse janë në pyetje interesat e qytetarëve”, potencohet në vendimin e OShP-së.

Edhe për tenderin e tretë, “Asfaltimi i rrugës Kuçicë – Ternav”, operatori ekonomik “Graniti Com” shpk & “Saba Belca” Dega në Kosovë & “ISPE Group” shpk – Skenderaj kanë deponuar ankesë në OShP kundrejt Komunës së Skenderajt.

Në lidhje me këtë ankesë, paneli shqyrtues ka marrë vendim ku është konstatuar se Komuna e Skenderajt me rastin e anulimit të këtij tenderi nuk i është përmbajtur nenit 62 të LPP-së dhe procedurave për anulimin e këtij tenderi.

“Edhe pse në bazë të fakteve dhe argumenteve që ka pasur në dispozicion paneli shqyrtues, rezulton se është përmbushur njëri nga kushtet e nenit 44.7 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik (RrUOPP), sepse asnjë tender nuk është i përgjegjshëm, në mungesë të vlefshmërisë së ofertave”, potencohet në vendim.