Komuna e Prishtinës planifikon më shumë mësues për arsimin fillor

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës po planifikon që të angazhojë më shumë mësues për klasët 3 deri në 5, në katër institucione arsimore të nivelit fillor në kryeqytet.

Sipas një njoftimi, përmes këtij projekti synohet ngritja e cilësisë në arsim dhe arritja e rezultateve më të larta.

“Në funksion të zhvillimit dhe jetësimit këtij projektit më datën 19 gusht 2019, u zhvillua takim i radhës, ku të pranishëm ishin përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, profesorë nga Fakulteti i Edukimit, përfaqësues nga organizata joqeveritare, drejtues të shkollave dhe mësimdhënës, të cilët e panë me interes zhvillimin e këtij projektit dhe njëkohësisht ofruan gatishmërinë e tyre për përkrahje dhe mbështetje profesionale, në jetësimin e këtij projektit”, thuhet në njoftim.

Sipas Komunës, drejtoria e Arsimit në koordinim me të gjitha institucionet relevante të arsimit të Republikës së Kosovës, është duke i realizuar përgatitjet në mënyrë që implementimi i projektit të gjejë zbatueshmëri në kohën e fillimit të zbatimit në teren.