Kështu festuan shqiptarët në sallë pas fitores së Haxhi Krasniqit

Nuk është pak të shpallesh kampion Europe, mirëpo aq më e ëmbël është fitorja kur bëhet ndaj një boksieri rus, madje një boksier me karrierë të gjatë e të suksesshme.

Titulli EBU në kategorinë super të mesme mbrëmë i takoi Haxhi Krasniqit – Robinit, e ai këtë e meritoi në çdo aspekt.

Këtë e kishte të ditur edhe boksieri rus që gjatë shpalljes së fituesit, largoi dorën e tij nga referi i natës, duke zgjedhur që të duartrokiste boksierin kosovar para kohës, shkruan rtv21.tv.

Pas ngritjes së dorës lartë nga Krasniqi, lartë u ngritën edhe shqiptarët që ishin në sallë, që gjatë kësaj nate ishin të zëshëm në përkrahje të tij, duke filluar festën me tupana, duke kërcyer e valëvitur flamuj.

Meçi për titull Europe u zhvillua në Munich të Gjermanisë.

Pas 12 rundeve të gjata, triumfues doli Krasniqi, i cili mundi Stanislav Kashtanovin, një nga boksierët më të suksesshëm të kësaj kategorie.

Fillimin e meçit më mirë e nisi Krasniqi, duke plasuar më shumë goditje të suksesshme në drejtim të kundershtarit, e nga 12 runda vetëm 2 ose 3 i takuan rusit, duke bërë kështu që juria me vendim unanim të shpallë fitues Krasniqin./21Media