Foto-ilustrim

Kërkohen Masa Mbrojtëse për Prodhuesit e Grurit

Shoqata e Bujqve Prodhues të Grurit dhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë masa për mbrojtjen e prodhuesve vendorë të grurit dhe miellit.

Kërkesa kryesore e tyre është që gjatë periudhës së korrje-shirjeve, gjegjësisht në muajt korrik e gusht të vendoset ndalesë mbi importin e miellit dhe grurit në Kosovë në mënyrë që të kushtëzohet blerja e grurit apo miellit vendor.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se Qeveria duhet të ndërmarrë masa mbrojtëse në mbështetje të bujqve.

“Apelojmë në emër të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Shoqatës së Bujqve Prodhues të Grurit që defenitivisht Qeveria të marrë për bazë që të ndikojë dhe ndihmojë bujqit dhe prodhuesit e grurit në Kosovë që të marrin masa urgjente”, porositi Gërxhaliu.

Ai gjithashtu tha se duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë dhe përkrahje e duhur në mënyrë që të zhvillohet ky sektor.

Pal Gjuraj, kryetari i Shoqatës së Bujqve Prodhues të Grurit tha se këtij sektori i duhet një përkrahje nga Qeveria si në aspektin e subvencionimit dhe atë të furnizimit me plehra, fara, herbicide dhe mjete tjera mbrojtëse.

“Dihet se në Kosovë nuk prodhohen këto elemente, ne jemi të detyruar që t’i importojmë dhe vetvetiu importimi i këtyre imputeve bujqësore të cilat e rrisin prodhimin e grurit dhe kulturave të tjera bujqësore shkakton kosto të lartë të shpenzimeve dhe e pamundëson baraspeshën e prodhuesve tonë me prodhuesit tjerë të rajonit”, tha Gjuraj.

Në vitin 2010, Serbia dhe Federata Ruse kishin bllokuar eksportin e grurit të Kosovës në këto vende.

Në Kosovë janë mbi 30 mijë bujq që merren me veprimtarinë e grurit.

Kosova sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë çdo vit prodhon rreth 285 mijë ton grurë. Kjo sasi plotëson rreth 70 për qind të nevojave të vendit për grurë.