Hapet Panairi i përgjithshëm ndërkombëtar ‘Prishtina 2023’

Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2023” është hapur sot në ‘Prishtina Mall’.

Ky panair është organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, sipas të cilëve ky panair është mundësi ideale e avancimit të proceseve ekonomike, përkrahjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndërkombëtarizimin e ekonomisë kosovare.

Në panair do të prezantohen kompani me histori e traditë shumëvjeçare, çdo njëra prej tyre në promovimin e vendit. Pjesëmarrës në panair janë edhe kompani nga shtetet e huaja si: Gjermania, Austria, Belgjika, Çekia, Polonia, Finlanda dhe të tjera.

Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike tha se ky panair synon forcimin e partneritetit mes kompanive vendore dhe atyre ndërkombëtare.

“Është hap i forcimit të partneritetit dhe bashkëpunimit ndërrajonal dhe kontribuon në avancimin e imazhit pozitivë në Kosovë. Pas një rrugëtimi të gjatë, sot panairi është një event multidimensional dhe me rol të pakontestueshëm në bashkëpunim në mes bizneseve dhe integrimit në ekonomi” – ka thënë Rafuna.

Ai ka bërë të ditur se nga komuniteti i biznesit të Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës numëron pothuajse 16,000 anëtarë, me një shtrirje në 7 njësi rajonale.

“Këtë vit jemi veçanërisht krenar me organizimin e këtij panairi Prishtina 2023, pasi që është dëshmi e rimëkëmbjes pas pandemisë, dhe është dëshmi e ndërmarrësisë plotë gjallëri në Kosovë dhe në rajon” – është shprehur, Rafuna.

Përparim Rama, kryetar i Prishtinës tha se ky panair është prezantim jo vetëm i produkteve, por edhe i kulturës dhe artit që mbizotërojnë në Kosovë, Prishtinë.

“Të gjithë investitorëve, kompanive që sot janë këtu që t’ia paraqesim aspektet tjera të artit, të kulturës, të shpirtit mikpritës të kryeqytetit tonë, po ashtu të gjithë vendit tonë, me ju tregu që, jo vetëm që mundemi të bëjmë biznes fantastik këtu, mundemi me pas edhe një jetë fenomenale”- ka shtuar Rama.

Ai shpreson që panairi të jetë një ngjarje e suksesshme dhe e frytshme për të gjithë pjesëmarrësit, dhe ka uruar që përfitimet nga ky takim të shihen edhe në hapësirat tona, në gjithë vendin tonë dhe në rajon.

Bujar Guci, drejtor i kompanisë “UniSolar” pret që ky panair t’iu sjell atyre klientë të nevojshëm për biznesin e tyre.

“Prej panairit presim vizitorë dhe klientë të ndryshëm, duke ia nisë prej individëve që kanë për shtëpi private deri të industri që kanë fabrika apo industri më të mëdha që shpenzojnë energji elektrike më të madhe”- ka thënë Guci.

Kurse, Shpat Krasniqi – përfaqësues nga kompania Pestova Sh.p.k, ka bërë thirrje që të organizohen më shumë panaire si këto.

“Ky panair po na mundëson që me u rrjetëzu edhe me u njoftë kryesisht edhe me shtresat tjera këtu, gjithashtu neve i inkurajojmë institucionet tona gjegjëse që çdo ditë e më shumë të organizojnë panaire të tilla, në mënyrë që përveç se me i ekspozu produktet tona sa ma shumë, kjo na ndihmon me u njoftë edhe rrjetëzu me të tjerët këtu”- është deklaruar Krasniqi.

Panairi do të jetë i hapur deri më 29 prill, ku do të keni mundësinë t’i shihni produktet dhe bizneset nga afër.