KEDS: Po Mbajmë në Punë Shumicën

Gjatë protestës para qeverisë sindikalistët e punëtorëve të KEDS-it thanë se 80 prej tyre janë larguar nga puna javën e fundit.

Zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala në përgjigjet për KALLXO.com tregoi se punëtorët me kontrata me afat të caktuar janë ftuar për të diskutuar rreth tyre.

“KEDS ka ftuar ditëve të fundit punëtorët me kontrata me afat të caktuar për të vazhduar kontratat e tyre. Si një kompani private ne u nënshtrohemi proceseve të vazhdueshme për optimalizimin operacional me synim për të ulur kostot, e cila në anën tjetër ka ndikim pozitiv në tarifat dhe faturat e konsumatorëve,” tha Buzhala.

Ai deklaroi se shumica e punëtorëve do të mbahen në punë.

“E përsërisim se shumica dërmuese e kontratave po vazhdohen.  Në të gjitha këto zhvillime ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me sindikatat për të arritur një përfundim sa më të mirë për të gjithë,” tha Buzhala.

Ai nuk i komentoi kërkesat e sindikalistëve për kontrata kolektive në protestën e sotme.

“Ne nuk mund të komentojme protestën, por edhe ju jeni në dijeni se KEDS nuk është nënshkruese e kontratës kolektive dhe si rrjedhojë nuk është pjesë e saj,” tha Buzhala.

Ai ftoi sindikatën për bashkëpunim.

“Ne kërkojme nga sindikata që të bashkepunojë me KEDS-in dhe jemi shumë të lumtur që të gjejmë zgjidhje optimale për secilën çështje,” tha Buzhala.

Zyrtarë të Federatës së Sindikatave të Pavarura të Elektrokosovës në protestën e sotme thanë se nëse nuk u plotësohen kërkesat për kontratë kolektive dhe moslargim nga puna, do të vazhdojnë protestën.