KDI: Opozita, bojkotuese më e madhe e  votimeve në seancat plenare të Kuvendit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në bazë të të dhënave që ka nxjerrë nga pikat që janë votuar në Kuvend gjatë sesionit pranveror, ka konstatuar se deputetët nga opozita kanë qenë bojkotuesit më të mëdhenj  të votimeve në seancat plenare, me gjithsej 29 për qind të votimeve.

Kurse, sipas këtij instituti, partitë në pushtet kanë bojkotuar 19 për qind  të votimeve në Kuvend.

“Nëse analizojmë sipas grupeve parlamentare, del që Lista Serbe është grupi parlamentar që kryeson listën për mospjesëmarrje në votim me 36%, e pasuar nga LDK dhe LVV me 35% respektivisht 25% të bojkotimit të votimeve”, thuhet në komunikatën e KDI-së.

Sipas tyre, mospjesëmarrja në votim është shmangie nga përgjegjësia dhe përfaqësimi i qytetarëve.

“Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, neni 40, pika 1 obligon deputetët të marrin pjesë në seancat plenare dhe mbledhjet e trupave të tjerë ndihmës të Kuvendit, ku ata janë anëtarë. Po në të njëjtin ligj, gjegjësisht në neni 41, thuhet që deputetët që nuk marrin pjesë në seancë dhe punimet e tjera brenda Kuvendit do t’iu reduktohet paga bazë dhe kompensimet shtesë. Deputetë janë të obliguar të marrin pjesë dhe të shprehin qëndrimet e tyre me anë të votimit”, thuhet në komunikatën e KDI-së.

Karakteristikë e këtij sesioni të punës së Kuvendit është mungesa e kuorumit në votim.