KALLXO 360: Panairi Dimëror në Prishtinë

Është hapur panairi dimëror në Prishtinë i cili mbledh ndërmarrjet e vogla e të mesme dhe bizneset e sapoformuara për promovimin e produkteve të tyre dhe lehtësimin e shkëmbimeve biznesore.

Ky është viti i katërt që një panair i tillë po mbahet në në sheshin Skënderbeu në Prishtinë.

Panairi do të mbetet i hapur për tri ditë dhe në të do të marrin pjesë rreth 70 biznese vendore nga industria e ushqimit deri në artizanatet dhe veprat artistike.

Përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Luigi Brusa, u shpreh i kënaqur me organizimin e këtij panairi dhe tha se këso organizime të tilla duhet të ketë më shumë, pasi që “prodhuesve vendorë u ofrohet mundësia të prezantojnë dhe të promovojnë produktet që ata i prodhojnë”.

“Është mirë fakti që kemi biznese të ndryshme që po ekspozojnë produktet e tyre dhe që ne kemi mundësinë që gjatë tri ditëve të ardhshme t’i provojmë produktet e tyre, njëkohësisht edhe të blejmë diçka prej tyre”, tha Brusa.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se panairet e këtij lloji janë në të mirë të ndërmarrjeve, pasi që atyre u mundësohet promovimi i prodhimeve të tyre dhe se Ministria e Tregtisë këtë vit ka financuar pjesëmarrjen e 190 ndërmarrjeve në 17 panaire të ndryshme.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë gjatë këtij viti, ka financuar pjesëmarrjen e 190 ndërmarrjeve në 17 panaire të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, në këto panaire janë ekspozuar 780 produkte dhe kanë arritur të lidhin 32 kontrata dhe mbi 90 kontrata janë duke u negociuar”, tha ministrja Bajrami.

Të pranishëm në hapjen e këtij panairi ishin prezent edhe disa kryetarë të komunave të Kosovës.