Kallxo 360: Memoriali i Familjes Historike në Prekaz
Fushëbeteja e familjes Jashari me forcat serbe brenda shtëpive të vjetra që janë sot pjesë e memorialit të 59 viktimave vjen në detaje nga kamera e teknologjisë së fundit, 360 shkallë.
Nga 5 deri më 7 mars të vitit 1998, familja Jashari në krye me komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari i rezistuan sulmit rrethues të ushtrisë serbe në përpjekje për zhdukjen e idesë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Nga beteja tre ditore, në fshatin Prekaz të Komunës së Skenderajt, u vranë 59 persona, nga ta edhe pleq e fëmijë.
Sot, 18 vite pas, shtëpitë e shkatërruara nga plumbat dhe artileritë e ushtrisë serbe vizitohen çdo vit nga rreth 400 mijë njerëz.
Në kompleksin memorial të mbrojtur institucionalisht, shtrihen shtëpitë, varrezat si dhe një muze me rekliktet e mbetura nga familja heroike.
Në kuadër të muzeut, sot janë ekspozuar edhe armët e ushtarëve Adem dhe Hamëz Jashari dhe po ashtu lodra të fëmijëve që ranë në këtë betejë.
Muzeu përmban edhe ‘maxhen’, një objekt i vjetër për ruajtjen e miellit që kishte mundësuar fshehjen e vajzës së vetme të mbijetuar brenda shtëpive, Besarta Jasharin.
Brenda shtëpive, gjenden akoma eksponante që priten të mblidhen për një muze më të madh që përkujton veprën e Jasharajve.
Ndërkaq shtëpitë, presin të konservohen meqënese ekziston rreziku i shembjes nga vjetërsia dhe mos mirëmbajtja.
KALLXO.com do të sjellë një seri të video reportazheve me kamerën 360 shkallë nëpër objekte dhe zona të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore